![](https://kallxo.com/wp-content/uploads/2023/03/Prokuroria-e-Pejes-720x405.jpg)
Raportimet e pasakta për masë të paraburgimit ndaj reperit "Stresi"
Mbi dhjetë portale online përfshirë portalin “Indeksonline” (Arkiva) më 01.11.2024 kanë publikuar një artikull lidhur me dorëzimin e reperit Arkimed Lushaj, i njohur si “Stresi” në stacionin policor në Pejë. Titulli i portalit që ka publikuar lajmin thotë “48 orë paraburgim për Stresin” .
Tutje në këtë artikull thuhet se “Prokuroria në Pejë i ka caktuar 48 orë paraburgim Arkimed Lushajt, reperit të njohur si Stresi”.
Masa e paraburgimit është një masë të cilën e cakton vetëm gjykata dhe e njëjta caktohet në një procedurë tjetër.
Verifikuesit e fakteve kanë kërkuar të dhëna nga Gjykata e Pejës për të kuptuar nëse ka pasur një masë të tillë ndaj reperit.
Në një përgjigje për verifikuesit e fakteve Gjykata e Pejës ka konfirmuar se për reperin ka pasur vetëm masë të ndalimit.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata ka caktuar masën e ndalimit për të pandehurin A.L. edhe për 48 orë shtesë, deri në realizimin e pagësës së dorëzanisë” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Pejës.
Sipas një përgjigjeje që kanë siguruar hulumtuesit del se Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për “Stresin”, por që më vonë është ndryshuar dhe është bërë kërkesa për dorëzani.
“Fillimisht, gjykata ka pranuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, e cila më pas është ndryshuar në kërkesë për dorëzani”- ka thënë për hulumtuesit Elzana Kastrati, zëdhënëse e Gjykatës së Pejës më 13.11.2024.
Arkimed Lushaj ishte duke u kërkuar nga autoritetet kosovarë për shkak të një përleshjeje e cila kishte ndodhur në një nga klubet e natës në Pejë, ku një person ishte rrahur nga disa të tjerë. Për këtë autoritetet kosovare dyshonin se i përfshirë ishte edhe këngëtari nga Shqipëria “Stresi” më 01.08.2024.
Ndërsa paraburgimi është një masë për sigurimin e pranisë së të pandehurit, dhe përveç paraburgimit masë për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale është edhe thirrja, urdhër-arresti, premtimi i të pandehurit se nuk do ta braktisë vendqëndrimin, ndalimi për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar, paraqitja në stacionin policor, dorëzania dhe arresti shtëpiak.
Këto masa aplikohen për të siguruar praninë e të pandehurit për pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Ndërsa pas arrestimit nëse prokurori i shtetit beson se duhet caktuar masën e paraburgimit, ai i paraqet gjyqtarit të procedurës paraprake kërkesë për caktim të paraburgimit.
“Brenda tridhjetegjashtë (36) orëve pas arrestimit, prokurori i shtetit i paraqet gjyqtarit të procedurës paraprake kërkesën për caktimin e paraburgimit.” – thuhet në Kodin e Procedurës Penale neni 162 paragrafi 6.
Lidhur me këtë rast po ashtu KALLXO.COM kishte raportuar më 01.11.2024. Në artikull tregohej se reperi “Stresi” është ndaluar për 48 orë.
Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë i Rajonit të Pejës, Driton Rugova.
Kush e autorizon arrestimin apo ndalimin?
Arrestimi apo ndalimi janë veprime të cilat i ndërmerr Policia e Kosovës pasi të merr autorizimin nga prokurori.
“Arrestimi dhe ndalimi nga ky nen autorizohet nga prokurori i shtetit që ka filluar hetimin, ose kur për shkak të rrethanave të ngutshme autorizimi i tillë nuk mund të merret para arrestimit, nga policia e cila menjëherë pas arrestimit duhet të informojë prokurorin e shtetit“ – thuhet në Kodin e Procedurës Penale neni 162 paragrafi 2.
Në rastet kur një person arrestohet mbi dyshimin se ka kryer ndonjë vepër penale, prokurori i shtetit nëse e sheh të nevojshme i paraqet gjyqtarit të procedurës paraprake kërkesën për aplikimin e ndonjë mase me të cilën do të mund të sigurojë të pandehurin në procedurë penale. Në kërkesën e tij, prokurori duhet të specifikojë për çfarë arsye duhet të aplikohet njëra apo tjetra masë, t’i bashkëngjesë prova kësaj kërkese me qëllim që Gjykata të vendosë lidhur me kërkesën në fjalë.
Pasi paraqitet kërkesa nga Prokuroria, lënda i ndahet për trajtim gjyqtarit që është kujdestar dhe i njëjti cakton seancën ku prezent në të duhet të jetë avokati dhe i dyshuari ose të dyshuarit dhe prokurori.
Në këtë fazë, prokurori elaboron kërkesën e tij dhe argumenton se pse duhet të aplikohet masa e paraqitur nga ky organ.
Në anën tjetër pala e dyshuar me mbrojtësin e tij kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me kërkesën e prokurorisë.
Në rastet kur prokuroria nuk paraqet asnjë kërkesë para gjykatës, i dyshuari i cili është ndaluar dhe është në mbajtje, duhet të lirohet me të kaluar periudha kohore prej 48 orësh.
“Sa më parë që të jetë e mundur, por jo më vonë se pas dyzet e tetë (48) orëve nga seanca dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake e nxjerr një vendim i cili përcakton nëse të pandehurit i caktohet njëra nga masat nga neni 171 i Kodit të Procedurës Penale” – thuhet në nenin 162 par.11.
Në rastet kur prokuroria, sipas gjykatës, nuk ka arritur të argumentojë se pse duhet të caktohet masa e propozuar, të njëjtën mund ta refuzojë. Por nëse e sheh të arsyeshme gjykata mund t’i caktojë ndonjë masë tjetër të cilën e sheh më të përshtatshme për aplikim.
Mirëpo nëse arrin ta vërtetojë dyshimin e bazuar atëherë gjyqtari i procedurës paraprake ndaj të pandehurit e cakton masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.
“Paraburgimin e cakton gjyqtari i procedurës paraprake i gjykatës kompetente në bazë të kërkesës me shkrim të prokurorit të shtetit pas seancës dëgjimore” – thuhet në nenin 185 par.1 të Kodit të Procedurës Penale.
I paraburgosuri mund të mbahet në paraburgim më së shumti 1 muaj nga dita e arrestimit ndërsa pas kësaj kohe ai mund të mbahet në paraburgim vetëm me aktvendim të gjyqtarit të procedurës paraprake i cili e urdhëron vazhdimin e paraburgimit.
“I paraburgosuri mund të mbahet në paraburgim më së shumti një (1) muaj nga dita e arrestimit në bazë të aktvendimit nga neni 186 i këtij Kodi. Pas kësaj kohe, ai mund të mbahet në paraburgim vetëm me aktvendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, gjyqtarit të vetëm gjykues ose kryetarit të trupit gjykues me të cilin urdhërohet vazhdimi i paraburgimit.” – thuhet në nenin 187, paragrafi 1, të Kodit të Procedurës Penale.
Cilat janë të drejtat e personit të arrestuar?
Të drejtat e personit të arrestuar gjatë ndalimit:
1. Personi i arrestuar veçohet nga personat e dënuar ose nga personat e paraburgosur.
2. Personat e ndaluar të gjinive të ndryshme nuk mbahen në të njëjtën dhomë.
3. Personit të ndaluar për më shumë se dymbëdhjetë (12) orë i sigurohen tri (3) racione ushqimi në ditë. Kurse personit të ndaluar në kohëzgjatje më pak se dymbëdhjetë (12) orë i sigurohet një racion ushqimi për çdo katër (4) orë të ndalimit.
4. Brenda njëzet e katër (24) orëve, personi i arrestuar ka të drejtë në së paku tetë (8) orë pushim pa ndërprerje dhe gjatë kësaj kohe nuk merret në pyetje e as nuk trazohet nga policia lidhur me hetimin.