Raportimet e KALLXO.com përfundojnë me 5 të arrestuar, 20 biznese të bastisura dhe një aktakuzë korrupsioni

Raportimet e qyetetarëve në KALLXO.com kanë dhënë rezultate të mëdha edhe gjatë muajit korrik.

Institucionet e vendit kanë reaguar në mbi 100 artikul të publikuar në KALLXO.com gjatë këtij muaji e të cilat kanë për bazë raportimin e qytetarëve.

Në veprime kontkrete  janë arrestuar 5 persona për organizim të bixhozit të paligjshëm, 20 biznese janë bastisur për evazion fiskal, një gjykatës dhe një prokuror janë në hetime për thyerje të rregullave të etikës dhe së fundmi, sot është ngritur një aktakuzë ndaj një ish drejtori në komunën e Prizrenit.

Bëhet fjalë për Ilir Beldedaj që aktualisht është asambleist në Kuvendin Komunal të Prizrenit nga AAK,  ku ka ushtruar funksionin e Drejtorit të  Administratës së Komunës së Prizrenit gjatë qeverisjes Muja 2.

Baldedaj akuzohet se prej datës 13.05.2018 e deri me datën 22.05.2018 ka bërë shpërndarjen e pasurisë jo financiare (laptopë dhe çanta të laptopëve) për asambleistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 copësh.

Aktakuza thotë se për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se të njëjtët u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.

Raportimi nga KALLXO.com tregonte se si asambleisteët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, nuk i kishin kthyer laptopët e komunës, pas përfundimit të mandatit.

Pas raportimeve të qytetarëve në KALLXO.com, Administrata Tatimore e Kosovës, në fillim të muajit gusht kishte ndërmarrë një aksion të gjerë, ku shënjestër kishte diskotekat në kryeqytet.

Diskotekat në kryeqytet u kapën duke iu shmangur tatimit.

Me 6 gusht, Prokuroria e Gjilanit arriti t’i arrestonte 5 persona për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit.

Prokuroria kishte vepruar pasi hulumtuesit e KALLXO.com, arritën të siguronin prova se një lokal në Gjilan ishte duke vepruar jashtëligjshëm, me organizimin e lojërave të fatit.

Kurse Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka themeluar një komision hetimor për gjykatësin Syle Lokaj, për të cilin KALLXO.com ka raportuar se ka thyer rregullat. Veprim i njejtë është edhe për prokurorin Rrustem Buzhala për të cilin poashut u raportua se munt të ketë thyer rregullat.