Ilustrim

Raporti shtesë i Policisë për arrestimin e Dardan Molliqajt dhe Adem Megjuanit

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është njoftuar se dje janë arrestuar dy persona nën dyshimin se të njëjtët kanë sulmuar katër zyrtarë policorë.

Bëhet fjalë për kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe aktivistin e të njëjtës parti, Adem Megjuanin.

Molliqaj dhe Megjuani dyshohen se gjatë protestës së mbajtur më 29 janar të këtij viti kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike kanë sulmuar katër policë, ku sipas njoftimit të Policisë tre nga ta kanë pësuar lëndime trupore.

“Nga ana e protestuesve janë sulmuar katër zyrtarët policorë, ku tre prej tyre  kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor”, kishte thënë Policia.

Sipas njoftimit te Policisë, dy të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Molliqaj është arrestuar gjatë mbrëmjes së djeshme nga Njësitë Speciale të Policisë.

Arrestimi ka ndodhur te zyrat e emisionit Pressing të T7, ku ai do të merrte pjesë në një debat.

Ndërsa për arrestimin e Megjuanit ka njoftuar sekretari organizativ i PSD-së, Nol Nushi

Ai kishte thënë se Megjuani është arrestuar lidhur me incidentin që ndodhi në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike të shtunën e kaluar.

I njëjti kishe kërkuar që të lirohet aktivisti Megjuani.

Policia gjatë mbrëmjes së djeshme ka publikuar edhe vërtetimin që ia dërgoi Molliqaj, për t’u paraqitur në stacionin policor.

Sipas njoftimit të djeshëm të Policisë një publikim i tillë ishte bërë me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik.

“Policia e kishte kërkuar të dyshuarin në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur, të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur”, kishte thënë Policia.

Për këto dy arrestime ka pasur reagime edhe nga PSD-ja.

Dren Kukaj në një konferencë të mbajtur mbrëmë në orën 23:00 ka thënë se fletarrestimi për Molliqajn është lëshuar pasi që ai është arrestuar nga Policia.

“Ajo që kemi kuptuar është se fletarresti është lëshuar pasi është realizuar operacioni policor, nëse nuk gaboj ka qenë 15 minuta pasi që ka shku në stacion policor që ka filluar të përpilohet dhe pastaj është lëshuar fletarresti”, kishte thënë Kukaj.