Ura e Ibrit - Foto: KALLXO.com

Raporti për Urën e Ibrit: Ura është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale

Ministria e Infrastrukturës ka publikuar raportin që vë në pah nëse Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturës – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.

Zëvendësministri Hysen Durmishi ka thënë se raporti ka vënë në pah se Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.

“Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”- ka njoftuar Durmishi përmes profilit të tij në Facebook.

Durmishi ka thënë se raporti që kanë pranuar sot është preliminar dhe tij do të presin edhe atë final për të pasur edhe rezultatet përfundimtare mbi funksionalitetin e Urës së Ibrit sa i përket aspektit teknik.

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit po pritet me diskutime, krahëhapur në njërën anë dhe kundërshti nga ana tjetër.

Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kështu ka paralajmëruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“BE planifikon ta vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut”- ka thënë ai në një përgjigje për KALLXO.com më 13.08.2024.

Hapja e urës “i ndihmon si njerëzit në të dyja anët e Ibrit, gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin”- tha kryeministri Albin Kurti më 18.07.2024, një ditë pas takimit paraprak që mbajti me ambasadorët e QUINT-it për këtë çështje.

Për kryeministrin, hapja e tërësishme e urës për qarkullim është “simbol i normalizimit”.

Por, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.