Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Raporti për Urën e Ibrit, Hamza: Nuk kam pranuar asnjë raport nga institucionet e Kosovës

Bedri Hamza, ndonëse i prinë Komunës së Mitrovicës së Jugut, aty ku shtrihet edhe Ura e Ibrit, e cila i lidh dy anët e qytetit të Mitrovicës, në një deklarim të shkurtër për KALLXO.com ka konfirmuar se nuk ka pranuar ndonjë raport në lidhje me stabilitetin e hapjes së urës dhe asnjë detaj që lidhet me çështjen e kësaj ure. 

“Nuk kam pranuar asnjë raport e askush nuk e ka biseduar këtë punë prej institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Hamza për KALLXO.com.

Ai nuk ka dashur të flas më shumë rreth kësaj çështjeje me arsyetimin se në këtë kohë të gjithë duhet të jenë të matur në deklarime. 

Megjithatë, ditë më parë, Hamza ka thënë se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të kryhet në bashkërendim me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai ka theksuar se duhen shmangur veprime që mund të çonin në tensionim të situatës.

“Duhet të ketë bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim me NATO-n , që ka trupat e vet në kuadër të KFOR-it, me ambasadat në Kosovë, me diplomacitë e vendeve mike me qëllim që të mos shkaktohet një situatë që në vend që të ketë progres të lëvizim në regres dhe të përballemi me një situatë e cila më pastaj do ta bllokonte urën për lëvizje për një kohë më të gjatë”, është shprehur ai.

Ai bëri të ditur se çështja e urës ishte temë edhe në takimet që ka patur me zyrtarë amerikanë gjatë qëndrimit në Uashington.

Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës në orët e mbrëmjes së 13.07.2024, ka publikuar raportin që vë në pah nëse Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi urë, gjatë javës së kaluar.

Zëvendësministri Hysen Durmishi ka thënë se raporti ka vënë në pah se ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.

“Raporti konkludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”- ka njoftuar Durmishi përmes profilit të tij në Facebook.

Durmishi ka thënë se raporti që kanë pranuar është preliminar dhe tash do të presin edhe atë final për të pasur edhe rezultatet përfundimtare mbi funksionalitetin e Urës së Ibrit, sa i përket aspektit teknik.

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit po pritet me diskutime, krahëhapur në njërën anë dhe kundërshti nga ana tjetër.

Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Në anën tjetër vetëm pak orë pas këtij njoftimi, KFOR rreth orës 22:41 ka dërguar një njoftim për media në të cilin ka thënë se është thelbësore që të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione, si çelës për siguri e qëndrueshmëri në Kosovë e stabilitet në rajon.

Në njoftim nuk përmendet, takimi (13.08.2024) i komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash me kryeministrin Albin Kurti, të cilët folën pikërisht për këtë temë.

“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” – thuhet në komunikatë.

KFOR është siguruar që të tregoj se janë të gatshëm që për çdo rast të veprojnë si përgjigje të cdo zhvillimi i cili mund të prek aspektin e sigurisë. 

“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi relevant të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së” – thuhet ndër të tjera.