Ilustrim - Ushtria- FSK

Raporti nga ShBA - Deri më 2027 Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtri plotësisht operacionale

 

Qendra Woodrow Wilson në Washington D.C. ka publikuar një raport të ri për Kosovën të titulluar “Konsolidimi i sovranitetit të Kosovës: Pse ka rëndësi, dhe çfarë duhet bërë tani”.

Përveç që bën një përshkrim të situatës së tanishme mes Kosovës, Serbisë dhe aleatëve ndësorkombëtarë (BE dhe ShBA), raporti jep rekomandime për vazhdimin e proceseve që janë në ngecje dhe rregullimin e politikave që pengojnë zhvillimin e Kosovës, përkatësisht njohjen e plotë të Kosovës nga shtetet e BE-së dhe anëtarësimin e saj në NATO.

Në përmbledhjen ekzekutive të këtij raporti përmendet se edhe pse qeveria e tanishme e Kosovës ka ofruar mënyra të zgjidhjes së mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë për sovranitetin e Kosovës, asaj do t’i duhet përkrahja dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në mënyrë që t’i jetësojë planet e saj.

Sidoqoftë, raporti e konsideron angazhimin ndërkombëtar të nevojshëm jo vetëm në anën kosovare por edhe atë serbe, njëtrajtësisht.

Aty theksohet nevoja që edhe Serbisë t’i kërkohet plotësimi i disa standardeve, meqë Qeveria e Kosovës veçse është e përkushtuar për formimin e një paqeje mes shoqërive shumë-etnike dhe shteteve të pavarura në Ballkanin Perëndimor.

“ShBA dhe BE duhet të përballen me qeverinë gjithnjë e më autoritare të Serbisë dhe me politikën e saj të jashtme destabilizuese”, thuhet në përmbledhjen ekzekutive të raportit.

“Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja duhet të këmbëngulin që Serbia të plotësojë të njëjtat standarde – përkitazi me korrupsionin, kleptokracinë, demokratizimin, të drejtat e pakicave dhe bashkëjetesën rajonale – që kërkohen nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Krahas kërkesës për ndërrimin e qasjes së aleatëve ndërkombëtarë ndaj Serbisë, raporti jep edhe disa hapa të cilët mund të ndërmerren nga SHBA-të, BE-ja dhe së fundmi nga Kosova e Serbia për ta jetësuar këtë bashkëpunim që do të sillte një qëndrueshmëri në rajon.

Në mesin e shumë rekomandimeve për veprim drejtuar ShBA-së dhe BE-së janë:

  • Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës
  • Mbështetja e Kosovës në proceset e pranimit të saj në organizatat ndërkombëtare si Këshilli i Evropës (KE), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh), Interpol, dhe UNESCO.
  • Fuqizimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe NATO-s dhe lehtësimi i zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri plotësisht operacionale deri në vitin 2027.

Ndërsa Kosovës dhe Serbisë raporti u kërkon që t’i vendosin njerëzit para territorit dhe të kujdesen për komunitetin shqiptar në Serbi e komunitetin serb në Kosovë. Gjithashtu u kërkohet që të trajtohen temat thelbësore nga e kaluara, gjegjësisht gjetjen e personave të pagjetur dhe vendosjen e drejtësisë për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.

 

Pregatitur nga Vesa Ferizi – KALLXO