Raporti: Katër hidrocentralet në Lepenc operojnë pa leje mjedisore

Hidrocentralet e kaskadës së Lepencit “Sharri”, “Shtërpca”, “Brezovica” dhe “Viça”, operojnë pa leje mjedisore.

Kështu thuhet në raportin e grupit punues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ku u shqyrtuan procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale dhe ndikimi i tyre në ujëra dhe mjedis.

Dhënia e të drejtës ujore me leje ujore e jo me koncesion përbën shkelje të Ligjit për Ujëra, thuhet në raport.

Në raport theksohet se pëlqimi ujor është lëshuar pa i përmbushur asnjë prej kushteve ujore të përcaktuara me aktvendimin e datës 15 qershor 2015 për kushte ujore.

Tutje, pëlqimi ujor është lëshuar pasi ka tejkaluar afati prej 90 ditësh, i përcaktuar me aktvendimin për kushtet ujore (pas më shumë se 4 muajsh prej lëshimit të kushteve ujore).

Sipas raportit,  traseja e hidrocentralit “Sharri” është në zonën e dytë të mbrojtur të Parkut Kombëtar “Sharri”, dhe nuk posedon leje.

Në raport po ashtu potencohet se dhënia në shfrytëzim e pronës ujore në ngastrën nr. 6922-0 nga ana e Komunës së Shtërpcës për “Matkos Group” me vendim të datës 3 qershor është në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Lëshimi i vetëm një pëlqimi mjedisor për të katër hidrocentralet: “Sharri”, “Shtërpca”, “Brezovica” dhe “Viça”, është në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit të VNM-së.

Gjithashtu, në raportin e grupit punues theksohet se, ndërtesat e të katër hidrocentraleve janë ndërtuar në pronë ujore në afërsi të drejtpërdrejt të lumit, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës (neni 48) që përcakton distancën prej minimum 30 metra për ndërtimin e objekteve nga vija e plotave (ujërat 100-vjeçare)

Në katër hidrocentralet e lartpërmendura mungojnë ose janë të papërfunduara shtigjet e peshqve dhe tubacionet e tyre shtrihen nëpër sipërfaqe publike (përveç hidrocentrali “Viça”), thuhet në raport.

Në raport rekomandohet që të hartohet studimi i prurjes së pranueshme ekologjike në pajtim me kërkesat e legjislacionit. Të instalohen matësit e prurjes mbi dhe nën profilin e veprave ujë marrëse për të tri hidrocentralet.

Të kompletohen shtigjet e peshqve, të kryhet incizim gjeodezik i shtratit të lumit dhe përpunohen strukturat e betonit në mënyrë adekuate.

Gjithashtu të sigurohet pëlqim nga Ministria për shfrytëzim të pronës ujore ku janë ndërtuar hidrocentralet.

Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë në një intervistë në KallxoPernime se raporti i hartuar lidhur me operimin e hidrocentraleve në vend sugjeron që atyre që nuk posedojnë leje mjedisore t’u ndërpritet leja e punës.

MIAPH ka krijuar një komision i cili ka hartuar raportin dhe rekomandimet lidhur me hidrocentralet.

“Raporti për hidrocentralet është pranuar dhe janë edhe rekomandimet për tipin e hidrocentraleve dhe japin rekomandim që hidrocentralet të cilat nuk posedojnë leje mjedisore t’u ndërpritet puna”, ka thënë ai.

Pas këtij raporti që e ka pikëvështrim mjedisin kemi marrë opinion ligjor lidhur me pasojat ligjore.

Ai ka thënë se ato që nuk kanë leje mjedisore do të ndërpriten.

Aliu ka thënë se njëri prej rekomandimeve të raportit është që të ndalohen ato hidrocentrale që e shfrytëzojnë ujin nëpër gypa.

Nga rreth 20 hidrocentrale që veprojnë në vend, ka thënë ai, 16/17 prej tyre do të ndalin punën deri sa të pajisen me leje mjedisore.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.