Raporti i ZRRE: KESCO rrezikoi sigurinë e furnizimin me energji elektrike në Kosovë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka gjobitur sot me 8.4 milionë euro Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe me 2.7 milionë euro Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

Këto vendime Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë i mori pas raporteve të monitorimit për këto dy kompani.

Petrit Pepaj, pjesë e grupit monitorues ka prezantuar raportin në mbledhjen e bordit të ZRRE-së.

Sipas këtij raporti, KESCO kishte rrezikuar sigurinë e  furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në Kosovë.

“KESCO Sh.A ka rrezikuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët e FShU-së dhënë me Vendimet për Vendosjen e Obligimit të Shërbimit Publik si Furnizues me Shërbim Universal ngarkuar KESCO-së”- tha Pepaj.

“KESCO Sh.A ka vepruar në kundërshtim me kushtet të Licencës, ka bërë ndër-subvencionim/nder-financim të llogarisë së konsumatorëve të parregulluar nga llogaria e konsumatorëve të rregulluar që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, që është në kundërshtim me Nenin 5 paragrafi 3 të Licencës për furnizim me energji Elektrike dhe konsiderohet si shkelje e Nenit 31 të Ligjit për Energji elektrike”- thuhet mes të tjerash në raportin e monitorimit të ZRRE-së.

Gjobën prej 8.4 milionë euro KESCO sipas miratimit të bordit duhet ta paguaj brenda dy viteve me katër këste.

“Detyrohet Furnizuesi me energji elektrike “KESCO Sh.A” që brenda  periudhës dy vjeçare në katër këste të paguajë gjobën në llogarinë e Buxhetit të Republikës së Kosovës, në shumën e përcaktuar…”.

Ndërkaq sipas raportit tjetër për KEDS, ai nuk kishte prokuruar energji elektrike për mbulimin e humbjeve sic parashihet me dispozita ligjore dhe nuk kishte ushtruar përgjegjësitë e dhëna sipas legjislacionit që të siguroj energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes dhe shërbimet ndihmëse.

Gjobën prej 2.7 milionë euro KEDS detyrohet ta paguaj brenda dy viteve në katër këste.

ZRRE gjobit KESCO-n me 8 milionë euro dhe KEDS-in me 2.7 milionë euro