Foto: ZKA

Raporti i ZKA-së: Institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbrojtur ambientin gjatë aktivitetit minerar

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë prezantimin publik të raportit të performancës “Procesi i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari”.

Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, ka thënë se qëllimi i prezantimit publik të këtij raporti është që të nxitet një dialog kuptimplotë dhe efektiv me të gjitha palët e interesit lidhur me rezultatet e auditimit dhe se si rekomandimet e dhëna do t’i shërbejnë përmirësimit të procesit të licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore dhe mbrojtjen e ambientit nga kjo veprimtari.

Sipas njoftimit, objektivë e këtij auditimi ka qenë vlerësimi i procesit të dhënies së licencave dhe lejeve për aktivitete minerare.

Rezultatet e auditimit kanë treguar se institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbrojtur ambientin nga operatorët ekonomik gjatë zhvillimit të aktivitetit minerar duke mundësuar që operatorët të operojnë pa zbatuar kriteret e kërkuara, pa ofruar siguri në terren dhe në disa raste duke vepruar ilegalisht.

“Me qëllim të mbrojtjes së ambientit ka nevojë për përmirësimin e sistemit të licencimit për shfrytëzim të mineraleve dhe aktiviteteve të veçanta si dhe përmirësimin e sistemit për dhënien/monitorimin e pëlqimeve dhe lejeve mjedisore. Po ashtu, është i domosdoshëm përmirësimi i menaxhimit të inspektimeve për shfrytëzuesit e mineraleve dhe ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe lokal në fushën e mbrojtjes së ambientit”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, ky raport dhe rekomandimet duhet të ju shërbejë ligjvënësve dhe atyre që janë përgjegjës për administrimin e parasë publike të rrisin llogaridhënien në arritjen e objektivave strategjike lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e sistemit të licencimit të operatorëve ekonomik.

Ndërsa Udhëheqësi i Ekipit që ka realizuar këtë auditim, Labinot Sadiku, ka prezantuar në detaje gjetjet e auditimit dhe rekomandimet e dhëna për institucionet përkatëse duke nënvizuar që dhënia e licenacave dhe lejeve nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është përcjellë me mangësi.

“Këto kryesisht ndërlidhen me mos koordinimin me palët tjera gjatë licencimit, mungesa e pëlqimeve nga organet përgjegjëse për rrugët, mungesa e programit të detajuar të rehabilitimit, vazhdimi i licencave në mungesë të rikultivimit të zonave ku janë shfrytëzuar mineralet”, thuhet në njoftim.

ZKA-ja tutje shton se me theks të veçantë duhet përmirësuar monitorimin e vlefshmërisë së pëlqimeve mjedisore dhe procesin e lejeve mjedisore, monitorimin e operuesve që shfrytëzojnë mineralet, inspektimin e shfrytëzuesve të mineraleve dhe të aplikohen dispozitat ndëshkuese.

Me qëllim të adresimit të këtyre çështjeve të rëndësishme janë dhënë 17 rekomandime.

Kurse përfaqësuesit e institucioneve që ishin pjesë e procesit të auditimit kanë shprehur gatishmërinë për t’i përgatitur planet e veprimit duke përcaktuar masat që do të ndërmerren, personat përgjegjës si dhe afatet kohore për zbatim të rekomandimeve.

Subjekt i auditimit ka qenë Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Inspektorati i Komunës së Pejës dhe Inspektorati i Komunës së Malishevës. Auditimi ka mbuluar periudhën e vitit 2019 ndërsa për qëllime krahasimore janë marrë vitet 2020-2018.

Raporti i plotë gjendet në këtë vegëz.

Në këtë prezantim kanë marr pjesëpërfaqësues nga  Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, Komuna e Malishevës, Komuna e Pejës, Institucioni i Avokatit të Popullit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave.