Raporti i UNDP-së: Për herë të parë në 32 vjet matje, zhvillimi njerëzor ka pësuar rënie

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka publikuar “Raportin e ri të Zhvillimit Njerëzor 2021-2022″.

Sipas këtij njoftimt të UNDP-së, për herë të parë në 32 vitet e matjes nga UNDP-ja, Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (IZhNj), që është matje e shëndetësisë, arsimit dhe standardit të jetesës së një kombi, ka pësuar rënie në nivel botëror për dy vjet radhazi tashmë.

Në raport thuhet se zhvillimi njerëzor ka rënë në nivelet e vitit 2016, duke kthyer pas shumë përparime të bëra drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

“Ky kthim është thuajse universal, duke qenë se 90% e vendeve kanë shënuar rënie të vlerës së IZhNj-së në vitin 2020 ose në vitin 2021 dhe më shumë se 40 % kanë shënuar rënie në të dy vitet, duke sinjalizuar që për shumë vende kriza është ende në thellim” – thuhet në raport.

Raporti paralajmëron se bota po zvarritet nga kriza në krizë e zënë si në çark në një cikël ‘fikjesh zjarresh’ dhe e paaftë të trajtojë rrënjët e telasheve me të cilat përballemi, e ku tutje theksohet se pa një ndryshim të fortë të kursit, mund të jemi duke shkuar drejt edhe më shumë privimi dhe padrejtësie.

Sipas Achim Steiner, Administrator i UNDP-së, bota po rreket t’u përgjigjet krizave të njëpasnjëshme.

“Bota po rreket t’u përgjigjet krizave të njëpasnjëshme. Te krizat e kostos së jetesës dhe të energjisë kemi parë se megjithëse mund të jetë tundues përqendrimi në korrigjime të shpejta si subvencionimi i lëndëve djegëse fosile, taktikat e lehtësimit të shpejtë po vonojnë ndryshimet afatgjata sistemike që duhet të ndërmerren” – njoftohet të ketë thënë Steiner.

“Jemi të paralizuar kolektivisht në kryerjen e këtyre ndryshimeve. Në një botë të kapluar nga pasiguria, kemi nevojë për një kuptim të rinovuar të solidaritetit botëror për të trajtuar sfidat e përbashkëta dhe të ndërlidhura” – thuhet tutje.

Raporti poashtu shqyrton përse nuk po ndodh ndryshimi i nevojshëm dhe lë të kuptohet se ka shumë arsye për këtë, përfshirë dhe mënyrën se si pasiguria dhe polarizimi ushqejnë njëra-tjetrën për të parandaluar solidaritetin dhe veprimin kolektiv që nevojitet për të trajtuar krizat në të gjitha nivelet.

Për shembull, përllogaritjet e reja tregojnë se ata që ndihen më të pasigurt janë po ata që kanë gjasa të kenë këndvështrime politike ekstreme.

“Edhe përpara shpërthimit të COVID-19-ës, po shihnim paradokse binjake zhvillimi të përbëra nga pasiguria dhe polarizimi. Sot, ndërkohë që vetëm një e treta e njerëzve në të gjithë botën ndihen të stresuar dhe më pak se një e treta e njerëzve në botë u besojnë të tjerëve, përballemi me pengesa të mëdha për zbatimin e politikave që funksionojnë, si për njerëzit, ashtu edhe për planetin” – u shpreh Achim Steiner.

“Kjo analizë e re mendimndjellëse synon të na ndihmojë ta thyejmë këtë ngërç dhe të caktojmë një kurs të ri për të lënë pas pasigurinë aktuale botërore. Kemi një mundësi të vogël për të rinisur sistemet tona dhe për të siguruar një të ardhme të ngritur mbi veprime klimatike vendimtare dhe mbi mundësi të reja për të gjithë.”

Ndërkaq, për caktimin e një kursi të ri, raporti rekomandon zbatimin e politikave që përqendrohen tek investime (nga energjia e ripërtëritshme deri te përgatitja për pandemitë) dhe sigurime (përfshirë mbrojtjen sociale) me qëllim përgatitjen e shoqërive për uljet dhe ngritjet e një bote të pasigurt. Ndërkohë, novatorizmi me format e veta të shumta, si ajo teknologjike, ekonomike, kulturore etj., mund të krijojë dhe kapacitetet për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave që do të hasim në të ardhmen.

“Për tejkalimin e pasigurisë, duhet të mbështetemi edhe më fort te zhvillimi njerëzor dhe të shohim përtej përmirësimit të pasurisë apo shëndetit të njerëzve,” thotë Pedro Conceição nga UNDP-ja dhe autori kryesues i raportit. “Këto janë padyshim të rëndësishme. Por, duhet edhe të mbrojmë planetin dhe t’u sigurojmë njerëzve instrumentet që u nevojiten për t’u ndier më të sigurt, për të rifituar kontrollin e jetës së vet dhe për të pasur shpresë për të ardhmen” – potencon tutje ky raport.