Raporti i Progresit, vlerësim i kundërt me atë të Borrellit për veriun e Kosovës

Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese veçanërisht në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, ka vlerësuar Komisioni Evropian në Raportin e Progresit të publikuar të martën.

Ky vlerësim në fakt është në kundërshtim me qëndrimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhënë gjatë aksionit anti-kontrabandë të Policisë së Kosovës në veri më 13 tetor.

Borrell kishte kërkuar që të ndalet aksioni, duke i quajtur të njëanshme veprimet e ligjshme të Policisë së Kosovës.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme”, kishte shkruar ai në Twitter.

Kurse në raportin e fundit të progresit për Kosovën theksohet se “Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht në lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar dhe kushtet për lirinë e shprehjes”.

Sipas këtij raporti, pavarësisht përpjekjeve të bëra, ekziston nevoja për një vullnet të fortë dhe të vazhdueshëm politik për të adresuar në mënyrë efektive rreziqet sistemike të korrupsionit, si dhe një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.

“Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar”, thuhet në dokument.

Më 13 tetor të këtij viti, Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokuroritë dhe gjykatat përkatëse zhvilluan një aksion kundër kontrabandës në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi disa persona dhe të tjerë u shpallën në kërkim.

Sa i përket dialogut me Serbinë, në Raportin e Progresit thuhet se Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshme me Serbinë.

“Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, theksohet në këtë dokument.

Në këtë raport flitet edhe për funksionimit e Kuvendit të Kosovës.

Sipas raportit, për një pjesë të madhe të periudhës raportuese, atmosfera e polarizuar politike, mungesa e shumicës efektive qeveritare dhe mungesa e kuorumit ndikoi rëndë në vendimmarrjen në Kuvend.

“Ekziston nevoja që Kuvendi të përmirësojë kuadrin e tij rregullator, duke përfshirë rregullat e procedurës”, thuhet tutje.

Në përgjithësi, KE në këtë raport  thekson se zgjedhjet legjislative të shkurtit 2021 ishin të administruara mirë, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive.

“Procesi zgjedhor i Kosovës mbetet në nevojë për forcim gjithëpërfshirës për të adresuar dobësitë e qëndrueshme gjatë ciklit elektoral, siç janë identifikuar në misionet e njëpasnjëshme vëzhguese të zgjedhjeve të BE-së që nga viti 2014. Forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional mbi financimin e fushatave dhe partive politike mbetet një zonë në pritje që ka nevojë për reformë”, thuhet mes tjerash në raport.