Raporti i Progresit: RTK të zgjedh drejtor që siguron pavarësi editoriale

Raporti i Progresit i Bashkimit Europian e ka vlerësuar të rëndësishme që drejtori i ardhshëm i Radio Televizionit të Kosovës të emërohet përmes një procesi të bazuar në merita, për të siguruar autonomi institucionale dhe pavarësi editoriale.

Në raportin e progresit për Kosovën përmendet dorëheqja e ish-drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, i cili kishte thënë se dorëheqja e tij vjen pas presioneve politike.

“Në korrik të vitit 2024, drejtori i përgjithshëm i RTK-së dha dorëheqjen, duke cituar ndërhyrje politike dhe mosmarrëveshje me Bordin. Është e rëndësishme që drejtori i ardhshëm të jetë emëruar përmes një procesi të bazuar në merita, për të siguruar autonomi institucionale dhe pavarësi editorale ”- thuhet në raport.

Raporti i progresit e ka konsideruar poashtu thelbësore zgjedhjen e anëtarëve të ri të bordit të RTK-së, ndërsa thuhet se RTK duhet të adresojë me shpejtësi shqetësimet lidhur me llogaridhënien editoriale dhe pavarësinë.

“Më vonë gjatë vitit, RTK u kritikua publikisht për publikimin e një artikull të huaj që kishte target dy portale të lajmeve të Kosovës. Kjo çoi në dorëheqjen kryetar të bordit dhe dy anëtarëve të tjerë të bordit. Është thelbësore që bordi të bëhet shpejt sërish funksional. RTK-ja duhet t’i adresojë me shpejtësi shqetësimet lidhur me llogaridhënien editoriale dhe pavarësinë”- thekson raporti i progresit i BE-së për Kosovën.

Besnik Boletini, Arta Berisha dhe Safet Kabashaj, anëtarë të bordit të RTK-së, dhanë dorëheqje në gusht të këtij viti pas kritikave ndaj RTK për publikimin e një lajmi nga një medie boshnjake, i cili pretendon, ndër të tjera, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrë nën kontroll edhe media kosovare.

Në shtator të 2023, KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin e gjatë që shpërfaqte luftën e 3 grave, punëtore të RTK-së, të cilat nuk u lejuan të avancoheshin në pozita udhëheqëse brenda institucionit.

Rrëfimet ekskluzive të Ilire Zajmit, Udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishit, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK, tregojnë procesin e gjatë që i la ato jashtë pozicioneve për të cilat u përzgjodhën.

Dëshmitë që u publikuan në artikullin ‘Radio Televizioni i Burrave’ konfirmojnë se ish-kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe ish-drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj kishin diskutuar me kandidatet gjatë procesit të rekrutimit dhe vendimmarrjes. Përfundimisht, ato ishin zgjedhur të parat në konkurset fillestare, por nuk u emëruan në pozita të larta menaxhuese në RTK.

Ish-drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë në korrik të këtij viti, ndonëse dorëheqja e tij i ishte ofruar bordit në maj të 2024, ajo u bë publike në korrik të 2024.

Ahmetxhekaj kishte reaguar publikisht duke thënë se dorëheqja e tij vjen pas presioneve politike.

Pas Ahmetxhekaj, si ushtrues detyre i drejtorit të RTK-së ishte emëruar, Zana Spahiu e cila dha dorëheqje pas një muaji në këtë detyrë.

Në një intervistë për emisionin Rubikon të Klan Kosovës në korrik të këtij viti, Ahmetxhekaj kishte deklaruar se ishte ftuar në një takim nga kryeministri Kurti dhe se ai i kishte thënë se ka ardhur koha për ndryshime në menaxhment.

Ahmetxhekaj tutje kishte deklaruar se nga Kurti i ishte thënë që “Ndoshta do ishte i mirë ta përfaqësonte Kosovën diku”

Në shtator të 2023, kur në mbledhjen e Bordit të atëhershëm të RTK-së po diskutohej për një propozim që punëtorët e RTK-së të raportonin për punën që bëjnë brenda orarit të punës, ish-kryetari i Bordit Besnik Boletini ishte shprehur me gjuhë, që ishte konsideruar edhe seksiste ndaj punëtoreve ne RTK.

“Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”- kishte thënë Besnik Boletini.

Në raportin e auditimit për vitin 2023 të Zyrës Kombëtare e Auditimit, Auditori kishte listuar një grumbull parregullsish financiare që janë hasur gjatë menaxhimit të RTK-së në vitin 2022. Në këtë periudhë, në krye të menaxhmentit të RTK-së ishte Shkumbin Ahmetxhekaj, ndërsa në krye të bordit ishte Besnik Boletini.

Një prej arsyeve pse Auditori konstatoi se ka pasur shkelje në mënyrën e shpenzimit të buxhetit është shpenzimi i rreth gjysmë milioni euro për blerje të shërbimeve të ndryshme, duke i shkelur rregullat e prokurimit publik dhe duke aplikuar tenderë një-burimor pa i respektuar procedurat e prokurimit.

Më 28.10.2024 për dorëheqjen e tij ka njoftuar edhe zëvendës drejtori, Adi Krasta ndërsa bordi më 29.10.2024 bëri të ditur se kanë dështuar në emërimin e një ushtruesi të detyrës së drejtorit të RTK-së.

Shënim: Artikulli është edituar më 31.10.2024, ora 16:43.