Raporti i Progresit përmend sërish pjesëtarët serbë të dorëhequr nga Policia e Kosovës

Komisioni Europian në raportin e vitit 2023 për Kosovën ka thënë se Policia e Kosovës duhet të sigurohet që përbërja e saj të pasqyrojë përbërjen etnike të komunave.

Sipas këtij raporti Policia e Kosovës ka 478 policë për 100 mijë banorë, krahasuar me një mesatare të Bashkimit Europian prej 341 policësh.

Në raport thuhet se 85 për qind e policëve janë burra, ndërsa 15 për qind janë gra. Ndërsa, sa i përket nacionalitetit, 91 për qind prej e policëve thuhet se janë shqiptarë dhe 9 për qind u përkasin komuniteteve të tjera.

“Në një thirrje për të rekrutuar policë jo-shumicë pas dorëheqjes së policëve serbë të Kosovës në nëntor 2022, 150 policë nga komunitetet jo shumicë, përfshirë 75 serbë të Kosovës, iu bashkuan Policisë së Kosovës” – theksohet në raport.

Në nëntor të 2022-ës kishin dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës gati 600 zyrtarë policorë.

Dorëheqjes i parapriu suspendimi i ish-drejtorit të Policisë në Veri, Nenad Gjuriq, i cili nuk respektoi detyrat dhe obligimet e tij për të vepruar në bazë të një vendimi në lidhje me targat e Serbisë dhe zëvendësimin e tyre me targa të Kosovës.

Gjuriq tha se nuk mund të dalë kundër qytetarëve të veriut dhe ofroi dorëheqjen e tij, ndërsa muaj më pas, KALLXO.com raportoi se Policia e Kosovës e hoqi nga puna.

Çështja e policëve të dorëhequr nga Policia e pranimi i policëve të rinj ishte përmendur edhe në raportin e vitit 2022.

Komisioni Europian kishte përmendur edhe frikësimin që iu është bërë disa prej kadetëve të PK-së.

Sipas këtij raporti, pjesëtarë të Policisë që i takojnë komunitetit jo-shumicë janë frikësuar e më pas edhe kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

“Është shqetësuese dorëheqja e disa kadetëve të policisë të vendosur rishtazi nga komunitetet jo-shumicë pas frikësimit” – thuhej në këtë raport.

KALLXO.com kishte raportuar në korrik për këtë lloj frikësimi që iu ishte bërë personave në fjalë.

Frikësimi i kadetëve policorë serbë për t’u dorëhequr, përmendet në Raportin e Progresit të Komisionit Europian