Siguria kibernetike - Ilustrimi: Pixabay

Raporti i Progresit për sigurinë kibernetike: Të zhvillohen politika për një internet më të sigurt për fëmijët në Kosovë

Autoritetet e Kosovës duhet të zhvillojnë politika për një internet më të sigurt për fëmijët, theksohet në Raportin e Progresit të Komisionit Europian për vitin 2023, në fushën e sigurisë kibernetike.

Siѯ theksohet në raport, sa i përket besimit dixhital dhe sigurisë kibernetike, Kosova ka forcuar ligjin dhe strategjinë e saj kornizë për sigurinë kibernetike.

Megjithatë, theksohet se Ligji për sigurinë kibernetike është pjesërisht i harmonizuar me Direktivën NIS (Direktiva mbi sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit) dhe thuhet se Kosova duhet të rrisë përpjekjet për t’u harmonizuar me direktivën tjetër NIS 2 (Direktiva mbi sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit 2).

“Qeveria miratoi strategjinë e re të sigurisë kibernetike për 2023-2027 me planin e saj të veprimit shoqërues. Autoritetet duhet të zhvillojnë politika për një internet më të sigurt për fëmijët, duke përfshirë masa efektive për zbulimin dhe reagimin ndaj abuzimit seksual të fëmijëve në internet”- thuhet në raport.

Drejtoria e Krimeve Kibernetike e Policisë së Kosovës, sipas raportit ka vazhuar të trajtojë abuzimin e fëmijëve, duke iniciuar 12 raste.

Siguria kibernetike – Ilustrimi: Pixabay

Në Raportin e Progresit më tutje thuhet se Kosova ka bërë disa përparime në fushën e shërbimeve digjitale, por ka vërejtje për shërbimet online.

“Strategjia e qeverisjes elektronike për 2023-2027 u miratua. Megjithatë, numri i shërbimeve mbetet i ulët, duke përfaqësuar vetëm 10% të shërbimeve publike të disponueshme online”.

Këtë e përmend edhe profesori i sigurisë kibernetike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Blerim Rexha.

“Raporti progresit, në kapitullin 10 – Transformimi digjital dhe mediat, konstaton se edhe përkundër faktit që Kosova ka Strategjinë për siguri kibernetike 2023 -2027, vetëm 10% të shërbimeve ofrohen online! Pra Qeveria e Kosovës duhet të rritë shumë herë investimet në këtë fushë”- tha ai për KALLXO.com më 31.10.2024.

Sipas profesorit universitar, raporti me të drejtë e ka vlerësuar kornizën ligjore në këtë fushë, “por mungojnë nismat për avancimin e saj.”

“Lidhur me sigurinë kibernetike, ‘për këto 10% të shërbimeve online’ raporti me të drejt konstaton aprovimin e kornizës ligjore si punë të mirë, por mungojnë nismat për avancimin e saj (NIS2) – por këtu problemi është që 90% të shërbimeve vazhdojnë të ofrohen ‘me letër dhe prezencë fizike’”, tha Rexha, duke shtuar se “duket që qeveria ka një rezistencë të modernizimit të shërbimeve qeveritare.”

“E për kërkesën e BE-së për të bashkërenditur aktivitet për identitetin digjital duket se kemi ende punë për të bërë”- përfundoi profesori i UP-së.

Në Raportin e Progresit përmendet se në dhjetor të vitit 2023 Kuvendi i Kosovës ka miratuar amandamentimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale duke implementuar me këtë rast Konventën e Budapestit dhe protokollin e parë të saj. Për më tepër përmendet se protokolli i dytë shtesë është adresuar në Strategjinë për siguri kibernetike.

Siç e vlerëson raporti, aktualisht në kuadër të Kodit Penal të Kosovës një kapitull i dedikohet Krimeve Kibernetike, kurse në kuadër të Kodit të Procedurës Penal një kapitull tjetër i dedikohet Procedurave të Veçanta në Trajtim të Krimeve Kibernetike.