Agjencia për Informim dhe Privatësi - Foto: Facebook/ Agjencia për Informim dhe Privatësi

Raporti i Progresit për AIP-në: Është duke i përpunuar ankesat në mënyrë të pavarur dhe efikase

Raportin e Progresit të Komisionit Europian për Kosovën për vitin 2023 është thënë se Agjencia për Informim dhe Privatësi është duke i përpunuar ankesat për qasje në dokumente publike dhe për mbrojtjen e të dhënave në mënyrë të pavarur dhe efikase.

Sipas Raportit, ligjet në fuqi për Agjencinë janë gjerësisht në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme të Bashkimit Europian për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Direktivën për Zbatimin e Ligjit.

“Agjencia e Informimit dhe Privatësisë ka miratuar akte nënligjore dhe ka rritur kapacitetin e saj të personelit. Agjencia është duke i përpunuar ankesat për qasje në dokumente publike dhe për mbrojtjen e të dhënave në mënyrë të pavarur dhe efikase. Agjencia nuk konsultohet në mënyrë sistematike për hartimin e legjislacionit me ndikim në mbrojtjen e të dhënave personale” – thuhet në Raport.

Tutje u shtua se përgjegjshmëria e institucioneve publike dhe private ndaj vendimeve të Agjencisë u përmirësua, duke përfshirë edhe rritjen e ndërgjegjësimit.