Raporti i Progresit: Kosova ka nivel të përgatitjes në fushën e shoqërisë së informacionit dhe mediave

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit, vlerëson se Kosova ka një nivel të përgatitjes në fushën e shoqërisë së informacionit dhe mediave.

Ky vlerësim nga Komisioni Evropian vjen edhe si shkak i Marrëveshjes Rajonale Roaming që është nënshkruar në prill të vitit 2019 duke u ofruar konsumatorëve shërbim falas.

“Ende duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për financimin e transmetuesit publik”, thuhet në raport.

Rekomandimet e raportit paraprak, nuk janë adresuar dhe sipas raportit të fundit, ende mbeten të vlefshme.

Raporti i Progresit vlerëson se Kosova në veçanti duhet të sigurojë që telekomit dhe rregullatorëve t’u jepen burime të përshtatshme për të përmbushur mandatet e tyre në mënyrë të pavarur.

Sipas tij, Kosova duhet të zhvillojë një zgjidhje për financimin e qëndrueshëm të Radio Televizionit të Kosovës, si transmetues publik.

Raporti vlerëson se Kosova “duhet të rishikojë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave në përputhje me Direktivën e Shërbimit Audio vizual të Mediave dhe të forcojë fuqitë rregullatore, monitoruese dhe zbatuese të rregullatorit”.

Komisioni Evropian në këtë raport, thekson se rishikimi i Ligjit aktual për RTK-në filloi në vitin 2019 mirëpo procesi është i ngadalshëm.

“Ligji i ri përfshin një model financimi realist dhe të qëndrueshëm për RTK -në”, thuhet ndër të tjera në raport.

KE vlerëson se ndryshimi i dy ligjeve duhet të bëhet në mënyrë të hapur dhe transparente në konsultim me organizatat e shoqërisë civile dhe profesionistët e medias.