Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Raporti i Progresit: Debatet parlamentare lidhur me Kodin Civil shkaktuan gjuhë diskriminuese dhe të urrejtjes

Raporti i Progresit i Komisionit Europian për vitin 2023 ka konstatuar se debatet parlamentare lidhur me Kodin Civil kanë shkaktuar gjuhë diskriminuese dhe gjuhë të urrejtjes.

Sipas këtij raporti, Kodi Civil, i cili mund të hapë mundësinë e legjislacionit për bashkimet e të njëjtit seks, është në pritje të miratimit.

Në raport u vlerësua se nuk është arritur asnjë përparim në ngritjen e një strehe të planifikuar për viktimat LGBTIQ të dhunës në familje.

Madje u tha se Ligji për gjendjen civile që hap mundësinë e njohjes ligjore të gjinisë është në pritje të miratimit.

“Kushtetuta dhe ligjet janë kryesisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe europiane. Në praktikë, personat lezbike, homoseksualë, biseksualë, trans, jobinarë, interseks dhe queer (LGBTIQ) vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe kanë akses të kufizuar në shërbime, duke përfshirë shërbimet shëndetësore, psikosociale dhe ligjore” – u tha në raport.

Tutje u shtua se Kosova nuk ka miratuar një strategji dhe plan veprimi për të drejtat e personave LGBTIQ dhe as nuk ka zhvilluar ndonjë fushatë ndërgjegjësuese.

Raporti konstaton se Qeveria e Kosovës tregoi mbështetje publike për Javën e Krenarisë dhe Paradën e Krenarisë, mirëpo u shtua se përgjigja institucionale ndaj gjuhës së urrejtjes dhe homofobisë në internet është jokonsistente.

KALLXO.com kishte raportuar se si premtimi qeveritar i dhënë nëpërmjet ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se Projektkodi Civil do të procedohet në Kuvendin e Kosovës brenda vitit 2023 është i rremë.

Projektkodi Civil nuk është proceduar në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2023, e këtë e ka konfirmuar edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se viti 2024 është viti final, dhe se në vitin e ardhshëm ky projektkod do të miratohet në dy lexime.

Herë n’atë enjte e herë n’këtë enjte: Zvarritja e miratimit të Kodit Civil