Ilustrim

Raporti i Progresit: Cilësia e kujdesit shëndetësor në Kosovë mbetet shqetësuese

Cilësia e kujdesit shëndetësor në Kosovë vazhdon të mbetet një shqetësim, sipas Raportit të fundit të Progresit.  Një konstatim i ngjashëm ishte bërë edhe vitin e kaluar.

Pabarazitë, jetëgjatësia dhe vdekshmëria e foshnjave, shpenzimet e larta të qytetarëve, zbatimi jo i plotë i Ligjit për kontrollin e duhanit, blerjet jostrategjike, mospërputhja e disa ligjeve me acquis të BE-së, shitja e barnave pa recetë, janë disa prej problemeve në shëndetësinë publike në Kosovë,  që Komisioni Europian i ka konstatuar në këtë raport.

Raporti i Progresit është instrument me anë të të cilit Komisioni Europian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës europiane brenda vitit kalendarik.

Jetëgjatësia në lindje është cilësuar sërish si më e ulëta në rajon, ndërsa shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve si më e larta në rajon.

“Edhe pse Kosova ka ndarë një rritje buxhetore për kujdesin shëndetësor prej rreth 14.2% në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, shpenzimet për shëndetësi si pjesë e Bruto Prodhimit Vendor (GDP) së përgjithshëm mbeten të dytat më të ulëta në rajon dhe dukshëm më të ulëta se mesatarja e BE-së” – thuhet në raport.

Më tej, theksohet se blerjet janë jostrategjike duke rezultuar në joefikasitet të konsiderueshëm dhe rezultate të dobëta shëndetësore.

Shpenzimet nga xhepi i qytetarëve vlerësohen të variojnë mes 30 deri në 40 për qind, që konsiderohen shumë të larta. Në këto shpenzime thuhet se kontribuar mos rregullimi i duhur i financimit shëndetësor.

Shqetësim serioz janë konsideruar pabarazitë në këtë sektor. Edhe barra financiare vlerësohet se është veçanërisht e rëndë për segmentet e cenueshme dhe të varfra të shoqërisë, përfshirë këtu njerëzit me sëmundje kronike të cilët kanë nevojë për mjekime në baza të rregullta.

Sa i përket shëndetit mendor, raporti thotë se shërbimet mbeten të integruara.

Raporti ka përmendur nevojën e zbatimit të legjislacionit për recetat dhe shitjet e antibiotikëve për të ndaluar praktikën e zakonshme të shitjes së barnave pa recetë nëpër barnatore.

Është përmendur përditësimi i Listës së Barnave Esenciale. Në raport po ashtu tregohet se një subjekt nga Kosova po merr pjesë në Aleancën e Medikamenteve Kritike, mekanizëm konsultativ i Komisionit Europian, i cili bashkon palë të interesit nga Shtetet Anëtare të BE-së, industritë kryesore, shoqërinë civile dhe komunitetin shkencor.

“Kosova nuk ka bërë ndonjë përparim në të ushqyerit dhe aktivitetin fizik. Nuk ka pasur përparim në përafrimin e produkteve medicinale për përdorim njerëzor ose të produkteve medicinale për përdorim veterinar, ose në pajisjet mjekësore, të cilat të gjitha mbeten pjesërisht në përputhje me acquis të BE-së” – thuhet në raport.

Legjislacioni për shëndetësinë

Raporti ka pasur kritika për legjislacionin për gjakun, indet, qelizat dhe organet, për të cilin thuhet se nuk është plotësisht në përputhje me acquis të BE-së.

“Kosovës vazhdon t’i mungojnë resurset e nevojshme në këtë fushë. Zbatimi i ligjit aktual për kontrollin e duhanit duhet të përmirësohet” – thuhet në raport.

Pjesërisht në përputhje është cilësuar edhe legjislacioni për të drejtat e pacientëve në kujdesin shëndetësor ndërkufitar.

E në përputhje me acquis të BE-së dhe me rekomandimet e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), sipas raportit është Ligji për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse. Për këtë, Kosova ka zhvilluar edhe një modul të mbikqyrjes dhe monitorimit të ECDC.

“Kosova ka një program për skriningun (ekzaminimin) e kancerit, por skriningu i kancerit nuk kryhet në mënyrë sistematike dhe nuk ka një regjistër funksional të kancerit. Sëmundjet jo të transmetueshme janë shkaku kryesor i vdekjeve” – thuhet në raport.

Për luftën kundër korrupsionit, raporti tregon se Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit dhe USAID-it, ka miratuar një plan për integritetin institucional me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës institucionale.