Protesta në veri të Mitrovicës, 25 mars 2022, Foto: KALLXO.com

Raporti i Policisë së Kosovës për protestat e serbëve në Mitrovicë të Veriut dhe Graçanicë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për protestën e serbëve të mbajtur dje në Mitrovicë të Veriut dhe Graçanicë.

Policia në raportin 24-orësh ka njoftuar se protesta në Graçanicë ka përfunduar e qetë.

“Raportohet se disa qytetarë kanë protestuar në Graçanicë lidhur me mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në R. e Kosovës. Protesta ka përfunduar e qetë”, thuhet në raport.

Edhe për protestën në Mitrovicë të Veriut, Policia ka thënë se ka përfunduar e qetë.

Është mbajtur një protestë në shenjë pakënaqësie lidhur me ndalimin e votimit e zgjedhjeve të Serbisë, në territorin e Republikës së Kosovës. Rreth orës 12:44 protesta ka përfunduar dhe qytetarët janë shpërndarë. Nuk raportohet për ndonjë incident”, ka njoftuar Policia.

Dje, në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut, serbët protestuan kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, në territorin e Kosovës.

Ndërsa, partia kryesore e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, bëri të ditur se kjo parti dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës, derisa të kthehet në postin e saj Lilana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës, të ruajnë qetësinë dhe të “besojnë më shumë te Qeveria e Kosovës”.