Raporti i OJQ-ve për konkursin për Kryeprokuror të Shtetit, reagon Këshilli Prokurorial

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thënë se procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, që nga fillimi e deri në këtë fazë të intervistimit, ka qenë objektiv, jodiskriminues, transparent, gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci.

Kjo vjen si reagim pas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizjes FOL, të cilët kanë rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.

Sipas KPK-së, tendencat dhe gjuha e përdorur nga një pjesë e shoqërisë civile, “nuk është asgjë tjetër, përveçse tendencioze, e pabazuar dhe pa asnjë mbështetje ligjore, me prapavijë dhe në shërbim të atyre që kanë intencë të ndërhyjnë në pavarësinë e këtij institucioni të garantuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi”.

“KPK-ja kërkon edhe nga përfaqësuesit politikë të institucioneve të ndryshme që të respektojnë pavarësinë e pushtetit prokurorial dhe të përmbahen nga çfarëdolloj deklaratash politike, të cilat do të vlerësoheshin si ndërhyrje në këtë proces të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet mes tjerash në këtë reagim të KPK-së.

Raportin e plotë të IKD-së, GLPS dhe Lëvizjes FOL mund ta lexoni në këtë LINK.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi edhe për konkursin për kryeprokuror të shtetit të cilat mund t’i lexoni në këtë LINK.

Ky është reagimi i plotë i Këshillit Prokurorial të Kosovës:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) reagon ndaj Raportit të një pjese të organizatave joqeveritare, përkitazi me procesin e zgjedhjes se Kryeprokurorit të ri të Shtetit, me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, i publikuar dje në mediat e vendit.

KPK-ja, vlerëson se, procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, që nga fillimi e deri në këtë fazë të intervistimit, ka qenë objektiv, jodiskriminues, transparent, gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci.          

Publikimi i konceptdokumenteve, intervistimi i kandidatëve në prani të përfaqësuesve të OJQ-ve dhe partnerëve ndërkombëtarë, xhirimi dhe transmetimi i të gjitha intervistave të kandidatëve përmes mediumit publik, Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), i cili mundësoi që secili qytetar të përcjellë këtë ngjarje të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, padyshim, është dëshmia më e mirë që ky proces, siç e thekson edhe vetë raporti i kësaj pjese të shoqërisë civile, është një praktikë tepër pozitive dhe e pashembullt deri me tani në ndonjë institucion relevant, me ç’rast iu ka dhënë mundësia publikut, OJQ-ve dhe mediave që ta përcjellin drejtpërdrejt dhe në kohë reale ketë ngjarje për zgjedhjen e kandidatit për pozitën më të lartë në sistemin prokurorial.          

Prandaj, tendencat dhe gjuha e përdorur nga një pjesë e shoqërisë civile, nuk është asgjë tjetër, përveçse tendencioze, e pabazuar dhe pa asnjë mbështetje ligjore, me prapavijë dhe në shërbim të atyre që kanë intencë të ndërhyjnë në pavarësinë e këtij institucioni të garantuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.

Paradoks në vetvete dhe tejet i pakuptueshëm është fakti kur i njëjti raport i këtij koalicioni të një pjese të OJQ-ve i paraqet si fajtorë për një proces të pavarur, të drejtë dhe të paanshëm, një Udhëzues, i cili ka të bëjë me aplikimin e Nenit 13 dhe 14-të të Rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës dhe formularët mbi konceptdokumentet e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

Prandaj, kjo është përtej çdo orvatjeje për diskreditim dhe denigrim me çdo kusht të këtij procesi nga ana e disa qarqeve, të cilat nuk ia duan të mirën jo vetëm sistemit prokurorial, por tërë sistemit të drejtësisë, kur dihet se tërë hapat, nga fillimi e deri tek kjo fazë e intervistimit, janë ndërmarrë në plotëni me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë mbështetur gjithmonë sistemin prokurorial.

Krejt në fund, KPK-ja kërkon edhe nga përfaqësuesit politikë të institucioneve të ndryshme që të respektojnë pavarësinë e pushtetit prokurorial dhe të përmbahen nga çfarëdolloj deklaratash politike, të cilat do të vlerësoheshin si ndërhyrje në këtë proces të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit..