Pamje nga aksioni kur u arrestua Millun Millenkoviq Llune, 13 qershor 2023, Foto:KALLXO.com
Raporti i MPJ-së: "Llune" një nga drejtuesit e “Mbrojtes Civile” dhe zëvendëskomandant i “Brigadës së Veriut”
Detaje rreth sulmit terrorist të 24 shtatorit, të cilat janë përfolur por që nuk kanë qenë të shkruara zyrtarisht, janë përmendur në një dokument të cilin e ka përpiluar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, i cili më pas u është dorëzuar institucioneve të tjera të vendit.
Millun Milenkoviq, i njohur me nofkën “Llune”, në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com përshkruhet si një nga drejtuesit e organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” dhe zëvendëskomandant i organizatës tjetër të shpallur terroriste “Brigada e Veriut”.
“Llune” është arrestuar më 13 qershor të këtij viti në lidhje me dyshimet që ka ngritur Prokuroria Speciale se ishte i përfshirë në sulmin me mjete shpërthyese ndaj Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën veriore si dhe sulmin ndaj ushtarakëve të KFOR-it më 29 maj të këtij viti.
Në dokument “Llune” përshkruhet si një nga drejtuesit e organizatës “Mbrojtja Civile”.
Në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës organizatën “Mbrojtja Civile” dhe atë “Brigada e Veriut” i shpalli si terroriste.
Në dosje përmenden edhe protestat që u zhvilluan në tri komunat në veri të vendit, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
Madje ajo në Zveçan eskaloi sa protestuesit sulmuan ushtarët e KFOR-it, me ç’ rast një nga ta u detyrua që të amputojë këmbën për shkak të plagëve që kishte marrë.
Dosja përshkruan se më vonë u zbulua se personat që sulmuan ushtarakët e KFOR-it ishin drejtuesit e organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”.
Ky dokument dhjetëra faqesh e përshkruan “Llunen” si një nga drejtuesit e kësaj organizate dhe se i njëjti ishte arrestuar për pjesëmarrjen e tij në sulmet e organizuara kundër KFOR-it.
Shumica e anëtarëve të këtij grupi terrorist “Mbrojtja Civile” janë identifikuar nga ana e institucioneve të sigurisë në Kosovë por ata janë arratisur në Serbi.
Dokumenti vazhdon të nxjerrë në pah edhe detaje të tjera në lidhje me “Mbrojtjen Civile”.
Sipas këtij dokumenti, që nga gushti 2022, anëtarët e organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” kishin filluan ta quanin veten “Brigada e Veriut” dhe filluan të mbulonin qytete të veriut të Kosovës me mbishkrime që mbajnë këtë emër.
Dhjetëra emblema të “Brigadës së Veriut” janë gjetur dhe sekuestruar në një veturë në Zveçan më 23 qershor 2023.
Vetë “Llune” sipas dokumentit ka deklaruar se është zëvendëskomandant i “Brigadës së Veriut”.
“Llune” është themelues i klubit të kik-boksit “Kosovska Mitrovica” dhe shumë anëtarë të këtij klubi të kik-boksit janë edhe anëtarë të organizatës terroriste “Brigada e Veriut”.
Si u arrestua Millun Milenkoviq në veri?
Për disa ditë, kontrolli për lëvizjet e tij ishte intensifikuar, pasi informacionet që kishin marrë njësitet policore ishin se “Llune” i kishte prirë protestës për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj 2023, por njihej edhe si udhëheqës i grupeve kriminale në veri të vendit.
KALLXO.com raportoi për arrestimin e “Llunes”, i cili solli pas vetes edhe trazira në veri të vendit.
Ai ishte arrestuar pas një përcjelljeje disaorëshe nga njësitet policore inteligjente. Kapja e tij u bë pasi doli nga një lokal floktarësh në Mitrovicën e Veriut.
“Llune” u arrestua nga njësia elite e Policisë së Kosovës, Njësia Speciale Intervenuese (FIT).
Policët specialë intervenues kishin siguruar perimetrin fillimisht ku do të kryhej arrestimi.
I veshur me një bluzë me mbishkrimin “Kik Boks KLUB K.M (Kosovska Mitrovica), një bluzë të brendshme me flamurin e Serbisë, një palë rroba sportive, një çantë në bel, “Llune” fillimisht u pa duke hyrë brenda lokalit të floktarisë e më pas u nxor me forcë për shkak se u arrestua nga Policia.
Fillimisht i njëjti kishte tentuar që të kërcejë nga shkallët kur ka parë ekipet policore por më pas është neutralizuar dhe u bart deri të vetura i prangosur për t’u transferuar më pas në mbajtje.
Rasti i “Llunes” ishte trajtuar nga Prokuroria Speciale. Madje me urdhër të kësaj Prokurorie u bë edhe arrestimi më 13 qershor.
Arrestimi i “Llunes” u përcoll menjëherë me grumbullim të qytetarëve. Kishte edhe prej atyre që në shenjë rezistencë thyen e demoluan një veturë të Policisë.
Alarmi u lëshua për disa minuta në Mitrovicën veriore, e kjo ishte shenjë për grumbullim të qytetarëve.
Ekipet e Policisë, njësitë speciale e edhe ekipet e misionit ndërkombëtar paqeruajtës në Kosovë, KFOR, u panë derisa u pozicionuan në “Lagje të Boshnjakëve”.
Nga turma u hodhën edhe gurë. U panë edhe njerëz te maskuar.
Për disa orë situata u raportua e tensionuar. Deri rreth orës 16:00, “Lagjja e Boshnjakëve” ishte e blinduar nga njësitet policore të cilët kishin marrë urdhra për të ofruar rend e siguri.
Momenti i arrestimit të të dyshuarit për sulmet ndaj KFOR-it në Mitrovicën e Veriut (FOTO)
www.kallxo.com