Raporti i Monitorimit të Drejtësisë nga EULEX konstaton ngecje në gjykimet e korrupsionit
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit – EULEX, ka prezantuar raportin e monitorimit për drejtësi. Gjetjet e këtij raporti tregojnë për gjendjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Në raportin katërt të EULEX-it, gjetjet bazohen në monitorimin rigoroz të më shumë se 300 lëndëve dhe të dhënave të mbledhura nga institucionet e Kosovës, përfshirë këtu policinë, prokurorinë, gjyqësorin dhe shoqërinë civile në Kosovë.
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano në prezantimin e raportit foli edhe për gatishmërinë dhe bashkëpunimin që institucionet e Kosovës kanë treguar gjatë përpilimit të këtij raporti, duke lehtësuar procesin e këtyre gjetjeve.
Barbano konfirmoi edhe një herë së EULEX-i është partner i përkushtuar për Kosovën, por sipas tij lidershipi kosovar duhet të jetë më i përkushtuar.
“EULEX vazhdon të mbetet partner i përkushtuar për Kosovën, por përgjegjësia kryesore për përkushtimin e vërtetë i takon lidershipit të Kosovës”- deklaroi ai.
Këto raporte përfshijnë rekomandime specifike për institucione përkatëse, në raport ka vlerësime specifike sa i përket funksionimit të zinxhirit të drejtësisë në Kosovë.
Raporti i EULEX-it ka monitoruar edhe rastet e gjykimeve të korrupsionit, mirëpo nga gjetjet nuk ka një progres në këtë aspekt dhe sipas shefit për monitorimin e rasteve nga EULEX, Hubert van Eck Koster, rreziku është që këto lëndë të parashkruhen për shkak të zgjatjes së gjykimit të tyre.
“Sa i përket trajtimit të rasteve të profilit të lartë shpesh herë të korrupsionit shumë prej tyre fatkeqësisht nuk kanë shënuar ndonjë përparim të mirëfilltë edhe pse disa gjykime janë duke u mbajtur për vite të tëra dhe rreziku është që ato të arrijnë afatin e parashkrimit”- ka deklaruar Eck Koster.
Koster foli edhe për numrin e madh të seancave jo produktive për të cilat nuk ka pasur një vendim nga gjykata.
“Në periudhën shtator 2022, maj 2024, 230 nga 821 seanca të monitoruara kanë qenë jo produktive, që paraqet 28% të seancave”- ka deklaruar Eck Koster.
Në prezantimin e raportit mori pjesë drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj.
Sipas drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha ky raport është i rëndësishëm për institucionin e Policisë së Kosovës dhe se do merren për bazë rekomandimet që janë të përfshira në këtë raport.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi i ka marrë në konsideratë raportet e tilla të përgatitura edhe në të kaluarën duke analizuar dhe nxjerrë gjetjet, duke bërë përpjekje që t`i adresojmë”- ka deklaruar Hoxha.
Tutje Hoxha tregoi edhe për raportet paraprake të EULEX-it të cilat janë marrë për bazë dhe disa nga rekomandimet janë në proces të zbatimit.
Komente për këtë raport dha edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, i cili tha së një raport i tillë ofron analiza të hollësishme dhe të pavarura për situata të ndryshme duke identifikuar edhe sfidat dhe ofron rekomandime për përmirësimin e situatës.
“Këto raporte kanë ofruar analiza të hollësishme dhe vlerësime të pavarura për situata të ndryshme duke identifikuar sfida të ndryshme dhe duke rekomanduar masa për përmirësim”- deklaroi Hajdaraj.
Ndërsa për kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, ky raport është kredibil dhe institucionet e përfshira në raport duhet të trajtojnë seriozisht adresimin e këtyre çështjeve.
“Duke vlerësuar si raport kredibile sigurisht që për institucionet e përfshira në monitorim dhe për rekomandimet e dhëna kërkohet një adresim serioz i çështjeve të ngritura”- ka deklaruar Zogaj.
Zogaj kërkoi nga zyrtarët e BE-së që në raportet e tyre të kenë vëmendje edhe kapacitetet e institucioneve të drejtësisë me thekës të veçantë buxhetin, pasi që sipas tij buxheti i këtyre institucioneve është në limitet e mbijetesës.
“Do doja që dy raporte edhe i EULEX-it edhe Raporti i Progresit, t`i japin me shumë vëmendje kontekstit të kapacitetit të institucioneve të drejtësisë në këtë rast buxhetit, buxheti i institucioneve tona është në limitet e mbijetesës”- ka thënë Zogaj.