Ilustrim - Arkiv - Tymtarët e TC Kosova A

Raporti i KOSID: Kosova rreth 90% të prodhimit të energjisë ende e bazon në thëngjill

Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovës (KOSID) ka publikuar raportin me titull ‘Kah po shkon sistemi energjetik i Kosovës?’.

Menaxhimi i ndryshimeve klimatike në Kosovë dhe rrjedha e sistemit energjetik të Kosovës janë temat kryesore të shtjelluara në këtë raport.

Sipas këtij raporti Kosova rreth 90% të prodhimit të energjisë elektrike e bazon në thëngjill duke shkaktuar emetimet më të larta në Evropë.

“Qeveria e Kosovës duhet menjëherë të fillojë t’i zbatojë rekomandimet e BE-së të përcaktuara përmes Agjendës së Gjelbër për arritjen e standardeve të caktuara të efiçiencës si dhe përqindjes së pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në gjenerimin e përgjithshëm të energjisë, sepse një tranzicion i tillë merr kohë. Nëse nuk bëhet diversifikimi i burimeve të energjisë, Kosova rrezikon të penalizohet materialisht për djegien enorme të thëngjillit dhe lëshimin e CO2 në atmosferë”, thuhet në këtë raport.

Por para se ta bëjë këtë gjë Kosova, raporti thotë se vendi duhet të zhvillojë burime të ripërtëritshme të energjisë për të parandaluar vdekjet e hershme përbrenda popullsisë.

“Megjithatë, para se ta bëjë këtë gjë për të plotësuar kriteret e përcaktuara nga palë të huaja, Kosova duhet të zhvillojë burime të ripërtëritshme të energjisë duke pasur parasysh në radhë të parë mirëqenien e popullsisë së vendit, pra për të parandaluar vdekjet e hershme përbrenda popullatës kosovare, e cila ka moshë mesatare 10 vjet më të re sesa popullsitë e shteteve perëndimore, vdekje të cilat llogaritet të ndodhin kryesisht për shkak të ajrit të ndotur që mbizotëron në vend”, thotë raporti.

760 persona vdesin parakohe për çdo vit nga nivelet e larta të ndotjes, citohet në raport duke theksuar se edhe rreth 13 fëmijë vdesin çdo vit si pasojë e sëmundjeve të bartura përmes ujit dhe higjienës së dobët.

“Ndotja e lartë edhe paraqet rrezik të lartë për shëndetin publik. Gjendja është veçanërisht e përkeqësuar gjatë muajve të ftohtë kur pluhuri dhe emetimet tjera tejkalojnë vlerat e lejuara, për shkak të përdorimit të biomasës dhe karburanteve fosile për ngrohje. Të dhënat nga qendrat e mjekësisë familjare për vitin 2019, për aglomeracionin e Prishtinës (Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq dhe Drenas, ku ndotja e ajrit shpeshherë ka qenë alarmante dhe e vlerësuar si me ndikim në shëndet) tregojnë se numri total i pacientëve të paraqitur në këto Qendra me sëmundje respiratore ka qenë 241,157 ndërsa i atyre me sëmundje kardiovaskulare ka qenë 92,312”, thekson raporti.

KËTU mund të gjeni raportin e plotë të publikuar nga KOSID.