Raporti i IHMK-së, në dhjetor Peja me ajrin më të ndotur në Kosovë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar raportin e cilësisë së ajrit në Kosovë për muajin dhjetor.

Matja mujore për cilësinë e ajrit është bërë përmes 12 stacioneve automatike dhe një stacioni automatik mobil.

Shpërndarja e stacioneve dhe përzgjedhja e lokacioneve monitoruese është bërë konform kritereve të Direktivës 2008/50/EU për ajër të pastër në Evropë, dhe ligjeve vendore, duke respektuar këto kritere stacionet janë shpërndarë në 9 (nëntë) komuna të Republikës së Kosovës: Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Brezovicë, Hani i Elezit dhe Gjilan.

Në raportin e muajit dhjetor thuhet se ka pasur tejkalime të ditëve me ndotje pothuajse në të gjitha stacionet.

Tejkalimi më i madh është në komunën e Pejës, ku ndotja ka kaluar limitet për 14 ditë gjatë muajit dhjetor. Pas Pejës, Prizreni ka pasur 13 ditë me tejkalime të ndotjes për muajin dhjetor.

Stacioni i vendosur në hapësirat e objektit Rilindja në Prishtinë ka treguar se kanë qenë 8 ditë me tejkalime të ndotjes, ndërsa stacioni i vendosur në IHMK ka treguar se kanë qenë 7 ditë me tejkalime të ndotjes.

Tejkalime të ndotjes ka pasur edhe në Obiliq për 7 ditë, Mitrovicë për 6 ditë, Gjilan me 5 ditë, Drenas për 4 ditë, Dardhishtë për 4 ditë dhe Hani i Elezit me 4 ditë.