Ilustrim

Raporti i ekspertëve të BE-së, telashet që i karakterizuan zgjedhjet e 14 shkurtit 

Problemet me votimin jashtë Kosovës, mosrespektimi i masave kundër pandemisë gjatë fushatës, rinumërimi i votave për shkak të mospërputhjeve, gjatë procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, ishin disa nga mangësitë që i ka evidentuar Misioni i Ekspertëve të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian në Kosovë, në një raport të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Megjithëkëtë, sipas këtij misioni, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve administroi zgjedhjet mirë dhe në mënyrë transparente, përkundër një afati shumë të shkurtër kohor dhe sfidave të shkaktuara nga COVID-19.

“Zgjedhjet u mbajtën për 120 deputetët e Kuvendit njëdhomësh në Kosovë. Ashtu si në katër zgjedhjet e mëparshme parlamentare që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, këto ishin zgjedhje të parakohshme të provokuara nga një krizë politike”, thuhet në raport.

Ekspertët e BE-së tutje kanë përmendur se procesi u përkeqësua gjatë numërimit të votave dhe u urdhërua të bëhej rinumërimi i një numri të madh të votave për shkak të mospërputhjeve në protokollet e rezultateve.

Sipas tyre, probleme të tilla sistematike për një kohë të gjatë duhet të adresohen.

“KQZ vendosi të rinumërojë 564 vendvotime (gati 24 përqind) pasi kryen auditimin dhe kontrollimin e tyre të brendshëm të të gjitha rezultateve të vendvotimeve. Një numër kaq i madh i rinumërimeve tregon mungesën e profesionalizmit të këshillave të vendvotimeve dhe/ose përpjekjet për të kryer mashtrime zgjedhore”, thuhet në raport.

Në raportin e MVZ të BE-së theksohet edhe mos respektimi i masave kundër COVID-19 gjatë fushatës zgjedhore.

“Kandidatët filluan aktivitete të ngjashme me fushatën shumë kohë përpara fillimit të fushatës zyrtare më 3 shkurt dhe në disa raste kishte grumbullim relativisht të konsiderueshëm të mbështetësve dhe shkelnin rregullat e sigurisë publike në lidhje me masat në fuqi për COVID-19”.

KALLXO.com do të publikojë edhe gjetje të tjera të këtij raporti.

Pas caktimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021, BE-ja dërgoi një Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve të përbërë nga tre ekspertë të cilët mbërritën në Kosovë më 21 janar.

Qëllimi i tyre ishte mbledhja dhe analizimi i informacionit faktik, vlerësimi dhe raportimi për procesin zgjedhor kundrejt zotimeve, standardeve dhe praktikave të mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Nga zgjedhjet e 14 shkurtit, fituese doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurti duke marrë mbi 50 për qind të votave të qytetarëve.

Kosova këtë vit do të organizojë edhe një palë zgjedhje, ato lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor.