Raporti i ekspertëve të BE-së për mangësitë e sistemit zgjedhor në Kosovë
Korniza ligjore për zgjedhjet në Kosovë mbetet në thelb e pandryshuar që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014, përkundër misioneve të shumta të vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE-ja.
Kështu thuhet në raportin të cilin e ka siguruar KALLXO.com, të Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve i Bashkimit Evropian në Kosovë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit të këtij viti.
“Ekzistojnë mangësi të konsiderueshme, të tilla si zbrastësitë, paqartësitë dhe mospërputhjet që mundësojnë zbatimin jokonsistent dhe selektiv si dhe anashkalimet, duke përfshirë KQZ-në dhe gjykatat. Kjo ndikon në mënyrë të panevojshme në aspekte të rëndësishme të procesit zgjedhor, të tilla si certifikimi i kandidatëve, regjistrimi i votuesve dhe rezultatet e zgjedhjeve”, thuhet në raport.
Në dokument theksohet edhe mos certifikimi i kandidatëve për shkak të dënimeve penale gjatë tri viteve të fundit, përfshirë bartësin e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ky i fundi ndonëse nuk figuroi në listën e fletëvotimeve, u zgjodh kryeministër i Kosovës pasi u nominua në Kuvend, ngaqë LVV-ja mori mbi 50 për qind të votave të qytetarëve nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme skualifikon individët nga e drejta për t’u kandidauar, pas një dënimi të formës së prerë për ndonjë vepër penale gjatë tri viteve të fundit, e cila është jo-propocionale dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”, thuhet në raportin e hartuar nga ekspertët evropianë.
Tutje në këtë raport përmenden polemikat politike që në atë kohë bëheshin në KQZ, kryesisht mes përfaqësuesve të LVV-së me partitë tjera.
Ekspertët evropianë e kanë shtuar edhe faktin se si në atë kohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani e cila edhe ishte në krye të listës zgjedhore të LVV-së, [si kandidate për presidente], e kishte kritikuar publikisht ish-kryetaren e KQZ-së Valdete Daka para ditës së zgjedhjeve, duke e akuzuar atë për anshmëri dhe sjellje joprofesionale.
Deklarata e Osmanit ndaj Dakës në atë kohë kishte ngjallur reagime të shumta nga spektri vendor e ndërkombëtar, duke e kritikuar u.d presidenten për ndërhyrje në institucionin e KQZ-së.
Mosrespektimi i masave kundër pandemisë gjatë fushatës, rinumërimi i votave për shkak të mospërputhjeve, gjatë procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, ishin edhe disa nga mangësitë që i ka evidentuar Misioni i Ekspertëve të Zgjedhjeve i BE-së në Kosovë në këtë raport.
Pas caktimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021, BE-ja dërgoi një Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve të përbërë nga tre ekspertë të cilët mbërritën në Kosovë më 21 janar.
Qëllimi i tyre ishte mbledhja dhe analizimi i informacionit faktik, vlerësimi dhe raportimi për procesin zgjedhor kundrejt zotimeve, standardeve dhe praktikave të mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.