Raporti i D4D për lajmet në portale dhe rrjete sociale: Dominojnë gjuha e ashpër dhe titujt e ekzagjeruar

Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D) ka mbajtur sot tryezën me titullin “Ndikimi lajmeve të publikuara nga portalet dhe rrjetet sociale në jetën e qytetarëve”.

Karakteristikë e këtij raporti nga monitorimi i portaleve online dhe rrjeteve sociale u tha se janë artikujt me përmbajtje të gjuhës së ashpër, gjuhës së urrejtjes dhe lajme me titull të ekzagjeruar.

Koordinatorja e projekteve në D4D, Drenusha Canolli theksoi se gjatë hulumtimit janë evidentuar 237 artikuj me çrregullim të informacionit.

“Ndër to kanë dominuar artikuj me përmbajtje të pavërtetë, gjuhë e ashpër, gjuhë anuese sa i përket zbatimit të reciprocitetit dhe vendimeve të Qeverisë në raport me Serbinë, si dhe lajme të pavërteta në lidhje me luftën në Ukrainë”- tha ajo.

Tutje gjetjet tregojnë, se në kategorinë e ndikimi të jashtëm, përkatësisht luftës në Ukraine ka pasur përsëritje të narrativave të kaluara, gjuhë e ashpër me përmbajtje mizogjene dhe dhunë online ndaj grave që mbajnë poste politike, sidomos nga komentuesit nëpër rrjetet sociale.

“Kanë dominuar po ashtu narrativa të njëanshme që kanë tentuar të minojnë procesin e dialogut Kosovë – Serbi, me theks të veçantë në mostrën në gjuhën serbe. Në shumicën e rasteve mediat nuk kanë arritur të demantojë qëndrimet , ose narrativat me përmbajtje të çrregullt të informacionit. Disa lajme në gjuhën shqipe u replikuan në forma të ndryshme këtu si narracioni se vullnetarët shqiptarë po luftojnë në Ukrainë” – theksohet tutje.

Sipas D4D, në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi, 65 nga 237 lajme dhe postime patën për qëllim diskreditimin e dialogut përmes deklaratave të njëanshme në gjuhën serbe.

“Shumica e lajmeve ishin me përmbajtje të ekzagjeruar duke tentuar të ngjallin frikë tek popullsia serbe në veri të Kosovës. Këto u nxitën kryesisht nga krerët politik në Serbi, në disa raste veprimet e qeverisë në respektim të marrëveshjeve të Brukselit u shpjeguan gabimisht si përpjekje të Qeverisë së Kosovës për të larguar serbët nga këto rajone” – u tha në këtë tryezë.

Në këtë tryezë u bë e ditur se kategoritë në të cilat është fokusuar raporti janë: Ndikimi i jashtëm, ndasitë politike dhe gjuha e ashpër, Gjykata Speciale, dialogu Kosovë-Serbi, dhuna online ndaj grave si dhe COVID- 19.

Analizimi i artikujve u bë për periudhën kohore prill, maj dhe qershor të këtij viti. Raporti përmban konkluzione dhe rekomandime të cilat u drejtohen portaleve online, subjekteve politike, mediave si dhe qytetarëve.

Të pranishëm si panelistë në këtë tryezë ishin edje gazetarët nga Ukraina që janë strehuar nga institucionet e Kosovës.

Ky është raporti i dytë i Institutit D4D, me fokus lajmet e rreme nga portalet dhe rrjetet sociale pas atij të viti të kaluar ku është monitoruar mbulimi mediatik i fushatës zgjedhore.

“Demokracia per Zhvillim” është organizatë jo-fitimprurëse e cila ka për qëllim të ndikojë në proceset e zhvillimit të politikave publike.