Diskutimet gjatë publikimit të raportit “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i Punës dhe Gjyqësorit" nga BIRN Kosova. FOTO: BIRN Kosova/Facebook.

Raporti i BIRN: Prej 27 lëndëve penale dhe civile në gjykatë për sigurinë në vendin e punës vetëm 4 kanë përfunduar me dënim në burg

Në 88 për qind të rasteve që janë analizuar janë konstatuar vonesa nga gjykatat ndërsa në 37% të rasteve vonesat janë në Prokurorinë e Shtetit dhe se sistemi i drejtësisë ka shqiptuar dënime të buta ndaj shkelësve të ligjit në çështjet e sigurisë në vendin e punës.

Këto janë disa nga gjetjet e raportit “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtoreve nga Inspektorati i Punës dhe Gjyqësori” i cili u publikua sot, pas një hulumtimi njëvjeçar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN dhe Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.

Po ashtu, në raport thuhet se në 11 raste janë shqiptuar dënime me gjobë në pesë raste dënime me kusht ndërsa në katër raste dënime me burg efektiv. Raporti thekson se në 14 nga 20 aktgjykime dënuese të analizuara nuk është zbatuar Udhëzuesi i Politikës.

“Këto të dhëna tregojnë se sistemi i drejtësisë ka një qasje jashtëzakonsht të butë ndaj bizneseve që kanë shkelur rregullat e sigurisë në punë dhe janë përgjegjëse për fatkeqësisë në punë” – potencohet në raportin e publikuar nga BIRN.

Për trajtimin e rasteve të të drejtave të punëtorëve nga gjyqësori është diskutuar në panelin e përbërë nga: anëtarja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jehona Grantolli; kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Fahret Velija, dhe Kastriot Berisha, zyrtar ligjor i BIRN-it.

Zyrtari ligjor i BIRN-it, Kastriot Berisha, tregoi se prej 27 dosjeve të analizuara vetëm 4 raste kanë përfunduar në burg, pesë me kusht dhe për 11 të tjera janë shqiptuar gjoba.

“Ajo që rezulton nga analiza e këtyre 27 rasteve që janë analizuar dënimet kanë qenë mjaft të buta, në 20 aktgjykime ka pasur dënime të cilat në 11 raste kanë qenë me gjoba, 4 raste kanë qenë burgim dhe 5 me kusht që nënkupton se i akuzuari nuk shkon për të vuajtur dënimin mirëpo shkon vetëm në rast se e përsërit veprën penale, dhe katër rastet e kanë pasur dënimin me burgim” – deklaroi Berisha.

Për rastet e analizuara sipas zyrtarit të BIRN, kanë rezultuar pasoja fatale të punëtorëve të cilat në Kodin Penal parashihen të kenë dënim deri në dhjetë vjet burg por që dënimet e dy rasteve janë me kusht.

“Në mesin e këtyre rasteve të analizuara katër raste kanë qenë me pasoja fatale për punëtorë, dhe nga analiza tyre rezulton se dy prej këtyre rasteve, dënimet kanë qenë të kushtëzuara, ndërsa sipas kodit penal, dënimet janë mjaft të ashpra të cilat mund të shkojnë deri në dhjetë vite burgim”- tha Berisha.

Sipas tij faji qëndron tek gjykata sepse vendos e fundit.

“Çështja i mbetet më shumë gjykatës për shkak se arrihet të provohet fajësia e personit i cili akuzohet dhe këtu kemi të bëjmë me aspektin ku shqiptohet lartësia e dënimit në këtë rast gjykata kur ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese ajo çka kemi gjet në raportin tonë tregon se janë marrë parasysh mbi 111 rrethana lehtësuese ndërsa vetëm 21 rrethana rënduese, kjo ka ndikuar që politika e shqiptimit të dënimit të jetë aq e butë saqë dënimet ndaj tyre nuk kanë pasur arritjen e qëllimit final në preventiven e të akuzuarve që të kryejnë përsëri vepra penale”- pohoi Berisha.

Anëtarja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jehona Grantolli, lidhur me 20 rastet e vdekjes së punëtorëve tha se ka pasur mundësi të kenë munguar raportet përfshirë edhe atë të autopsisë.

“Ndoshta në këto raste ka mundësi që të kenë munguar raportet e inspektorëve që për neve janë shumë me rëndësi por edhe raportet e tjera, si raporti autopsisë të cilat një prokuror duhet t’i merr parasysh. Nëse thuhet se janë 20 vdekje është shqetësuese mirëpo për secilën prej këtyre vdekjeve duhet të trajtohet me profesionalizëm me sigurinë për të arritur deri tek vërtetimi i plotë i gjendjes faktike për ta akuzuar një person dhe dërguar rastin në gjykatë”- bëri të ditur Grantolli.

Ajo bëri thirrje që rastet të raportohet edhe përmes policisë jo vetëm Inspektoratit të Punës.

Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave anëtar i KGJK-së, Fahret Velija, tregoi se kanë bërë një udhëzim për politikën ndëshkimore dhe se kanë formuar një Komision Kunsulativ.

“Ne si KGJK e kemi bërë edhe një udhëzim për politikën ndëshkimore, se a respektohet ajo në praktikë është çështje për tu diskutuar, për ta monitoruar këtë zbatim e kemi një Komision Kunsulativ të veçantë në krye të së cilit është vet kryetari i Gjykatës Supreme” – deklaroi Velija.

I pyetur se pse nuk po zbatohet udhëzimi ai tha se po mban takime vazhdimisht dhe për këtë do të bëjnë monitorim nëse zbatohet udhëzimi për politikë ndëshkimore.

Zyrtari ligjor i BIRN, Kastriot Berisha, tha se metoda më e mirë është që udhëzimi të jetë i obligueshëm për gjyqtarët si dhe të bëhet  vlerësimi i performancës së gjyqtarëve.

“Diskrecioni në Kosovë është shumë i lartë parashihen dënime nga një vit deri në dhjetë vite dënim burgim çka lejon mundësinë që çdo herë të shqiptohen dënime minimale, në këët rast më e mira është që të shikohet mundësia nëse udhëzimi mund të bëhet i obligueshëm për gjyqtarët në ndonjë lloj forme dhe pikërisht metoda më e mirë në këtë drejtim  është që kjo të bëhet përmes vlerësimit të performancës së gjyqtarëve”- bëri të ditur Berisha.

Për këtë Velija nga Këshilli Gjyqësor pohoi se është diskutuar që udhëzuesi të bëhet i detyrueshëm.

“Njëra prej ideve që është diskutuar edhe më herët është edhe futja e këtij udhëzuesi si të detyrueshëm në rastet kur matet performanca në mos respektimin e këtij udhëzuesi të jetë si një minus në vlerësimin e performancës”- u shpreh Velija.

Berisha nga BIRN tregoi për gjetjet e raportit konstatojnë që vonesat në gjykata zgjasin me vite prej 27 rasteve të trajtuara vetëm tri prej tyre janë trajtuar brenda afatit prej tridhjetë ditësh.

“Pasi të ngritët një aktakuzë, afati tridhjetë ditor është që gjykatat të mbajë seancën e parë të shqyrtimit të aktakuzës, ajo çka rezulton në 27 rasteve që i kemi analizuar del që në shumicën e rasteve vonesat kanë zgjatur me vite, nga gjitha këto raste vetëm tri rate janë trajtuar brenda afatit, 7 prej tyre kanë zgjatur mbi dy vite dhe 6 raste tjera pritja ka qenë më e gjatë se një vit”- tha ai.

Velija përfaqësues e KGJK tha se kanë formuar strategjinë për qasjen në drejtësi për priotizimin e rasteve në rast se nuk zbatohet do të ketë pasoja disiplinore për gjyqtarët përfshirë edhe vonesat e seancave.

Lidhur me analizën e BIRN, Berisha deklaroi se deklaratat e dëshmitarëve nuk janë marrë menjëherë, dhe se ka pasur raste kur kanë shkuar në gjykatë por nuk janë marrë parasysh deklaratat e tyre.

Grantolli si përfaqësuese e Këshillit Prokurorial tha se përgjithësia e raportimit të rasteve i takon personit që e ka kryer veprën dhe jo domosdoshmërish pronarit.

“Nuk mund të akuzohet një pronar i një kompanie por duhet të akuzohet personi përgjegjës që e ka kryer veprën sepse ka pasur raste kur pronari i kompanisë nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes, atëherë pse duhet akuzuar ky person që vetëm është pronar i kompanisë”- tha Grandolli.

Ndërsa sipas zyrtarit ligjor të BIRN përgjegjësia për raportim i takon personit përgjegjës që ka kryer veprën deri në kohën sa nuk e lajmëruar pronarin, pastaj kjo kalon në kompetencë të pronarit.

“Mosprezenca e pronarit biznesit nuk është kusht i obligueshëm që i njëjti të mos përfundojë në aktakuzë si përgjegjës për shkak se në rast se personi përgjegjës i ngarkuar me kontratë pune nuk e njofton pronarin e tij  për parregullsitë që ndodhin në një punishte atëherë përgjithësi i takon personit përgjegjës, por nëse e ka njoftuar pronarin atëherë përgjegjës është pronari” – bëri të ditur Berisha.

Sipas raportit, 64 përqind e lëndëve civile nuk janë zgjedhur me kohë.

Shefi i seksionit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Johannes Stenbaek-Madsen, të cilët e kanë mbështetur publikimin e këtij raporti tha se do të vazhdojnë të promovojnë të drejtat e punëtorëve.

“Mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve është e sanksionuar në Traktatet dhe Kartën e të Drejtave Themelore. Nëpërmjet projekteve të shumta të financuara nga Bashkimi Evropian, ne do të vazhdojmë të promovojmë të drejtat e punëtorëve” – tha Stenbaek-Madsen.

Raporti ka nxjerrë se pothuajse çdo muaj, në Kosovë vdes një person në vendin e punës, ndërsa vetëm 1.5% e bizneseve kanë kryer obligimin për vlerësimin e rrezikut në vendin e punës. Edhe pse nuk ka statistika dhe matje për numrin e punëtorëve të paregjistruar, të dhënat e Inspektoratit të Punës tregojnë se gjatë vitit 2021 në 10,162 inspektime u hasën 1,459 punëtorë pa kontrata pune dhe 433 punëtorë të padeklaruar në ATK.

Këto gjetje janë diskutuar në panelin e parë, të përbërë nga kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi; drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj dhe zyrtari ligjor i BIRN, Kastriot Berisha.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.