Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Raporti i BE-së: Qeveria Kurti u rrëzua nga dezinformatat

Një studim voluminoz i Komitetit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian i publikuar në këtë muaj lidhur me rolin dhe ndikimin e lajmeve të rreme në Ballkanin Përendimor gjatë viteve 2018 – 2020, zbulon modelet dezinformuese dhe anti-dezinformuese mediale në raport me opinionin publik të cilat kanë ndikuar në masë të madhe në ndryshimin e kursit dhe opinionit publik, madje edhe me rëzime qeverish.

Studimi mbi dezinformimin në Ballkanin Perëndimor është bërë në përputhje me angazhimin e Parlamentit Evropian (PE) për të menduar në mënyrë të përgjithshme për ndërhyrjet e huaja, autoritare dhe për të trajtuar dobësitë në të gjitha aspektet e qeverisjes demokratike dhe institucioneve.

Studimi në fjalë thotë se dezinformimi është pjesë endemike dhe e kudondodhur e politikës në të gjithë Ballkanin Perëndimor, pa përjashtim. 

Një pamje e përgjithshme e dezinformimit dhe kundër-dezinformimit në rajonin Ballkanik në periudhën nga viti 2018 – 2020 zbulon tre sfida kryesore të dezinformimit: sfidat e jashtme të besueshmërisë së BE; dezinformimi në lidhje me pandeminë e COVID-19; dhe ndikimi i dezinformimit në zgjedhje dhe referendume. Për më tepër, ky studim zbulon se dezinformimi është më së shpeshti një simptomë – dhe jo shkak – i një prishjeje më të thellë të kohezionit shoqëror dhe qeverisjes demokratike.

Ndërkohë që aktorët e huaj shfaqen qartazi – kryesisht Rusia, por gjithashtu Kina, Turqia dhe vendet e tjera në dhe afër rajonit – pjesa më e madhe e dezinformimit në Ballkanin Perëndimor – sipas këtij studimi – prodhohet dhe shpërndahet nga aktorë të brendshëm për qëllime të brendshme.  

Duke u bazuar në studime ekzistuese akademike, institute shkencore dhe hulumtime të tjera, si dhe analiza origjinale të të dhënave në internet në media sociale – dhe duke i kushtuar peshë dhe vëmendje të barabartë Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – studimi harton trendet kryesore dhe modelet në dezinformim dhe kundër dezinformim në të gjithë rajonin në periudhën mes viteve 2018 – 2020.

Ndër gjetjet kryesore të studimit janë edhe ato kur bëhet fjalë për sovranitetin e një qeverie të re e cila përballet me sfida të shumta  – të tilla si në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut dhe në një masë më të vogël në Malin e Zi –  dhe shton se politika është veçanërisht e ndjeshme ndaj ndërhyrjeve të motivuara gjeopolitikisht.

Brenda kontekstit të Ballkanit Perëndimor, politika dhe media kosovare – dhe, si rezultat, peisazhi dezinformues i Kosovës – janë veçanërisht ndërkombëtare, krahasuar me Bosnjën dhe Hercegovinën.

Në kontekst rajonal, në pjesën ku flitet për Kosovën, studimi  zbulon se në Kosovë, politika është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj lajmeve – dhe kështu dezinformimit – nga jashtë. Dezinformimi serb luan një rol të madh, ndonjëherë me mbështetjen nga rrjetet ruse të dezinformimit. Kohët e fundit, interesat në favor të Administratës Trump gjithashtu janë bërë pjesë e lojës. Megjithatë, ka pak dëshmi të ndonjë ndikimi në drejtim të orientimit euro-atlantik të vendit.

Studimi tutje shton se dezinformimi dhe kundër-dezinformimi vjen si rezultat i statusit të kontestuar të Kosovës, i cili përkeqëson sfidat e qeverisjes dhe e nënshtron logjikën e interesave shumë më të fuqishme gjeopolitike. Kësisoji, mungesa e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, megjithëse ka pasoja të rëndësishme të drejtpërdrejta për ekonominë e Kosovës, nuk është as çështje e brendshme dhe as thjesht një çështje bilaterale: është çështje e një rëndësie strategjike jo vetëm për Prishtinën dhe Beogradin por edhe për Moskën dhe Uashingtonin (për të mos përmend Brukselin, Berlinin dhe kryeqytetet e tjera të BE-së).

Dhe ndërkohë që Ballkani Perëndimor manipulon me një numër të madh interesash të huaja gjeopolitike, këto interesa marrin një aspekt unikal ekzistencial kur bëhet fjalë për Kosovën. Kështu, lojtarët e huaj nuk janë thjesht të interesuar ta manipulojnë politikën kosovare për qëllimet e tyre: ata kanë aksione të qarta në suksesin ose dështimin e Kosovës si shtet.

Si rezultat, qështjet e jashtme dominojnë agjendën e lajmeve të brendshme në Kosovë në një shkallë të pazakontë. Mbulimi i lajmeve përqendrohet kryesisht jo vetëm në marrëdhëniet zyrtare diplomatike të Kosovës, por edhe në deklaratat joformale nga njerëz të njohur ndërkombëtarë për Kosovën. 

Me të njëjtin argument, mbulimi i çështjeve të brendshme në dukje, siç është korrupsioni në qeveri, shpesh përqendrohet në pyetjen se si lajmet do të ndikojnë në perceptimin e Kosovës në botë. Ndërsa qeveria e Kosovës mbështetet më shumë në mbështetjen dhe bashkëpunimin e aktorëve të huaj sesa shumica e shteteve të tjera, madje edhe një përkeqësim simbolik i marrëdhënieve shkakton valë të fuqishme tronditëse në Prishtinë.

Rasti më evident i dezinformimit në Kosovë – sipas studimit në fjalë – dhe një nga rastet e pakta në të cilat një rezultat politik mund t’i atribuohet direkt dezinformimit – ilustron kompleksitetin e fenomenit. Në fillim të vitit 2020, Presidenti i SHBA Donald Trump, për të forcuar fushatën e tij të rizgjedhjes si President, i drejtoi përpjekjet e tij në negocimin e një zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë. Detyra e negociatave iu dha Ambasadorit Richard Grenell, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Inteligjencës Kombëtare i cili u emërua si i Dërguar Special për Negociatat e Paqes në Serbi dhe Kosovë. I irrituar nga ajo që ai e pa si pengim nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Ambasadori Grenell me sa duket e aranzhoi punën asisoji që Senatori David Perdue dhe djali i Presidentit të SHBA, Donald Trump Jr, të bënin një deklaratë në Twitter duke sugjeruar që SHBA të tërhiqnin trupat e tyre nga Kosova. Ambasadori Grenell atëherë mbajti atë kërcënim – i cili nuk u bë nga një zyrtar amerikan – në negociata me partnerët e koalicionit të qeverisë së Kurtit, duke krijuar një votë mosbesimi që rrëzoi qeverinë e Kurtit.

Ky veprim u denoncua gjerësisht në Evropë, duke përfshirë një demarsh të përbashkët nga ambasadorët francezë dhe gjermanë në Prishtinë. Siç tregon ky shembull, një akter i huaj ishte në gjendje të prodhonte një kërcënim krejt të trilluar dhe kështu të mundësonte një ndërrim të qeverisë.

Pjesa më e madhe e dezinformimit të shqyrtuar për këtë studim është e krahasueshme me çështjen Grenell, megjithëse me pasoja më pak të tmerrshme. Shpesh, mediat kosovare do të marrin deklarata të bëra diku tjetër – shpesh nga politikanë serbë ose media – dhe do t’ua paraqisnin opinionit kosovar apo shikuesve si ofendime zyrtare kundër Kosovës. Zemërimi që rezulton mund të kanalizohet për qëllime politike (si në çështjen Grenell) ose, më shpesh, thjesht të përdoret si klikim për të rritur lexueshmërinë. 

Përtej këtyre fushatave dezinformuese në përgjithësi, kanalet kryesore të dezinformimit në Kosovë, sipas analizës së mediave sociale të kryera për këtë studim, ndahen gjerësisht në dy kategori. Këto përfshijnë media kryesore, të tilla si stacioni televiziv Klan Kosova (në pronësi të manjatit medial me qendër në Tiranë Aleksandër Frangaj), gazetat Gazeta Express dhe Zëri dhe politikanë përfshirë LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës) lideri Isa Mustafa dhe lideri i PDK (Partia Demokratike e Kosovës) Kadri Veseli. Mesazhet e mediave sociale që vijnë nga Mustafa dhe Veseli kontribuuan edhe më tej në mashtrimin e çështjes Grenell, në veçanti.

Përfundimisht, Kosova nuk është imune ndaj narrativave dezinformuese që kanë pllakosur pjesën tjetër të rajonit (dhe botës). Kështu, Zëri nxori në pah një histori mashtruese për një kompani farmaceutike kosovare që supozohet se kishte zhvilluar një trajtim premtues për COVID-19. Faqja e internetit KultPlus.com, nga ana tjetër, nxiti një rol insuniat për Bill Gates lidhur me pandeminë. Me përjashtim të dezinformimit që lidhet me COVID, megjithatë, nivelet e dezinformimit në fronte të tjera – përfshirë ndikimin gjeopolitik nga Rusia, Turqia dhe Kina, dhe në zgjedhjet më gjerësisht – ishin më të ulëta në Kosovë sesa në shumicën e pjesëve të tjera të rajonit.

Në anën tjetër, Rusia dhe, në një masë më të vogël, Kina zakonisht shihet si aktorët më problematikë globalë dhe rajonalë kur bëhet fjalë për dezinformimin, është Uashingtoni ai që kohët e fundit ka kontribuar në rrëzimin e një qeverie të ulur në Kosovë (në tronditjen e aleatëve evropianë të Amerikës), shton tutje studimi në fjalë.

Fushata e dezinformimit dhe shtrembërimit që shoqëroi dhe i dha mundësinë administratës Trump për ta rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit është një nga rastet e pakta ku ne mund ta drejtojmë gishtin tonë në mënyrë konkrete, të prekshme dhe ta ndërlidhim atë pak a shumë drejtpërdrejt me vetë dezinformimin.

Në mënyrë më problematike, së bashku me ‘Marrëveshjen e Uashingtonit’ në Shtator të viti 2020 mbi normalizimin ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë, ajo përfaqëson një ndryshim thelbësor në politikën amerikane në rajon, larg një koncerti me Evropën dhe, në të vërtetë, larg politikës së vendosur amerikane që nga vitet 1990.

Shkëputja më e madhe e politikës së SHBA dhe BE në rajon përkeqëson përçarjen e përshkruar më sipër dhe fton Rusinë, Kinën dhe Turqinë të shfrytëzojnë përçarjen transatlantike. Ky problem mund të zgjidhet pjesërisht vetvetiu kur Administrata Trump zëvendësohet nga një Administratë Biden, por një angazhim dy-partiak në Uashington për partneritet trans-Atlantik në Ballkanin Perëndimor nuk mund të supozohet aktualisht.

Një pjesë e këtij studimi flet edhe për iniciativat fakt-kontrolluese që kanë të bëjnë me dezinformimin. 

Iniciativat për ta luftuar dezinformimin gjenden në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, megjithëse mund të duken joadekuate duke pasur parasysh shkallën e problemit, ato janë përgjithësisht shumë profesionale, të lidhura në nivel rajonal dhe global, dhe të bashkuara mirë me kompleksitetin e misioneve të tyre.

Iniciativat për verifikimin e fakteve janë bërë një nga metodat dominuese për t’iu përgjigjur dezinformimit globalisht dhe, në të vërtetë, paraqiten dukshëm në përgjigjen e vetë BE-së. Ato janë të pranishme dhe aktive në të gjithë Ballkanin Perëndimor. 

Dega e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në Kosovë dhe organizata Internews Kosova kanë lansuar në vitin 2012 uebfaqen e lajmeve Kallxo.com, e cila është e fokusuar në raportimin hulumtues, monitorimin anti-korrupsionin dhe kontrollimin e fakteve. Projekti ka qenë veçanërisht aktiv në raportimin e kontrollit të fakteve për COVID-19, duke tejkaluar kontrollin e zakonshëm të fakteve të bazuara në dokumentacion për të mobilizuar reporterët e saj në terren në mënyrë që të bëhet verifikimi i gatishmërisë së vendit (apo mungesën e kësaj gatishmërie) për t`u përballur me pandeminë.