Raporti i Bankës Botërore: Ekonomia globale pritet të ketë rritje prej 5.6% në vitin 2021

Ekonomia globale pritet të ketë rritje prej 5.6% në vitin 2021, kryesisht për shkak të rimëkëmbjes së fuqishme të disa shteteve më të zhvilluara ekonomikisht.

Kështu është thënë në raportin “Gjasat Ekonomike Globale 2021″ të publikuar nga Banka Botërore.

Megjithatë, thuhet se shumë tregje dhe ekonomi në zhvillim vazhdojnë të përballen me pandeminë COVID-19 dhe pasojat e saj.

Tutje në kumtesën e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë që citon këtë raport thuhet se në radhët e shteteve më të zhvilluara ekonomikisht, parashihet që rritja ekonomike në SHBA të arrijë në 6.8% këtë vit, ndërkaq në radhët e tregjeve dhe ekonomive në zhvillim, parashikohet që Kina ta ketë një rritje prej 8.5% këtë vit, duke e pasqyruar lirimin nga kërkesa e mbyllur.

“Ndonëse ka shenja të mirëseardhura të rimëkëmbjes globale, pandemia po vazhdon të shkaktojë varfëri dhe pabarazi mes njerëzve në vendet në zhvillim në mbarë botën. “Përpjekjet e bashkërenduara në nivel global janë esenciale për ta përshpejtuar shpërndarjen e vaksinave dhe lehtësimin e borxheve, veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta. Gjersa kriza shëndetësore do të bëhet më e lehtë, politikëbërësve do t’u duhet t’i trajtojnë efektet afatgjata të pandemisë dhe të ndërmarrin hapa për ta stimuluar zhvillimin e gjelbër, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke e ruajtur stabilitetin makroekonomik” citohet të ketë thënë presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass.

Kjo është komunikata e plotë e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë

Ekonomia globale pritet të ketë rritje prej 5.6% në vitin 2021, ritmi ky më i shpejtë në 80 vitet e fundit pas recesionit, kryesisht për shkak të rimëkëmbjes së fuqishme të disa shteteve më të zhvilluara ekonomikisht. “Megjithatë, shumë tregje dhe ekonomi në zhvillim vazhdojnë të përballen me pandeminë COVID-19 dhe pasojat e saj”, thotë Banka Botërore në raportin e vet Gjasat Ekonomike Globale të qershorit 2021.

Përkundër rimëkëmbjes, prodhimi në nivel global do të jetë rreth 2% nën parashikimet para pandemisë deri në fund të këtij viti. Humbjet në të ardhurat për kokë banori nuk do të zbuten deri në vitin 2022 për afro dy të tretat e tregjeve dhe ekonomive në zhvillim. Tek ekonomitë me të ardhura të ulëta, në të cilat vaksinimi ka ngecur, efektet e pandemisë i kanë përmbysur dobitë e uljes së varfërisë, e kanë shtuar pasigurinë dhe i kanë ashpërsuar sfidat afatgjata të tjera.

“Ndonëse ka shenja të mirëseardhura të rimëkëmbjes globale, pandemia po vazhdon të shkaktojë varfëri dhe pabarazi mes njerëzve në vendet në zhvillim në mbarë botën”, tha Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass. “Përpjekjet e bashkërenduara në nivel global janë esenciale për ta përshpejtuar shpërndarjen e vaksinave dhe lehtësimin e borxheve, veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta. Gjersa kriza shëndetësore do të bëhet më e lehtë, politikëbërësve do t’u duhet t’i trajtojnë efektet afatgjata të pandemisë dhe të ndërmarrin hapa për ta stimuluar zhvillimin e gjelbër, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke e ruajtur stabilitetin makroekonomik”.

Në radhët e shteteve më të zhvilluara ekonomikisht, parashihet që rritja ekonomike në SHBA të arrijë në 6.8% këtë vit, duke e pasqyruar mbështetjen fiskale në shkallë të gjerë dhe lehtësimin e kufizimeve në pandemi. Rritje ekonomike të fuqishme pritet të kenë edhe ekonomitë e tjera të avancuara, por në një shkallë më të ulët. Në radhët e tregjeve dhe ekonomive në zhvillim, parashikohet që Kina ta ketë një rritje prej 8.5% këtë vit, duke e pasqyruar lirimin nga kërkesa e mbyllur.

Ekonomitë e tregjeve të reja dhe në zhvillim, si grup, parashihet ta kenë një rritje prej 6% këtë vit, që do të mbështetet nga kërkesa më e madhe dhe çmimet e ngritura të mallrave dhe produkteve. Megjithatë, rimëkëmbja në shumë vende po pengohet nga një rishfaqje e rasteve të COVID-19, ngecjet në procesin e vaksinimit dhe tërheqja e mbështetjes përmes politikave në disa raste. Me përjashtim të Kinës, rritja ekonomike në këtë grup të vendeve parashihet të jetë më modeste, gjegjësisht 4.4%. Rimëkëmbja në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim parashikohet të jetë mesatare, prej 4.7%, në vitin 2022. Megjithëkëtë, fitimet në këtë grup të ekonomive nuk janë të mjaftueshme për t’i kompensuar humbjet e përjetuara gjatë recesionit të vitit 2020, ndërsa prodhimi në vitin 2022 pritet të jetë 4.1% nën parashikimet para pandemisë.

Pritet që edhe të ardhurat për kokë banori në shumë tregje dhe ekonomi në zhvillim të mbesin nën nivelet para pandemisë, ndërsa humbjet pritet t’i përkeqësojnë privimet që ndërlidhen me shëndetin, arsimin dhe standardet e jetesës. Ishte pritur që nxitësit kryesorë të zhvillimit ta humbnin vrullin edhe para krizës së COVID-19, ndërsa ky trend ka të ngjarë të forcohet nga efektet tronditëse të pandemisë.

Rritja në ekonomitë me të ardhura të ulëta këtë vit parashikohet të jetë më e ngadalta në 20 vitet e fundit, përveç vitit 2020, duke e pasqyruar pjesërisht ritmin shumë të ngadaltë të vaksinimit. Ekonomitë me të ardhura të ulëta parashikohet ta kanë një rritje prej 2.9% në vitin 2021 para se të arrijnë në 4.7% në vitin 2022. Shkalla e prodhimit e këtij grupi në vitin 2022 parashikohet të jetë 4.9% më e ulët se që është parashikuar para pandemisë.

Në një pjesë analitike të raportit Gjasat Ekonomike Globale është shqyrtuar se si ulja e kostove të tregtisë, siç janë ato të procedurave të mundimshme logjistike dhe kufitare, mund të ndihmojë në forcimin e rimëkëmbjes në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim, duke e lehtësuar tregtinë. Përkundër një rënieje gjatë 15 viteve të fundit, kostot e tregtisë mbeten pothuajse përgjysmë më të larta në këto vende sesa në ekonomitë e avancuara, kryesisht për shkak të shpenzimeve më të larta të transportit dhe logjistikës. Përpjekjet për t’i modernizuar proceset tregtare dhe kërkesat për zhdoganim, për të mundësuar infrastrukturë dhe qeverisje më të mirë të transportit, për ta inkurajuar shkëmbimin më të madh të informatave dhe për ta forcuar konkurrencën në logjistikën e brendshme, tregtinë me pakicë dhe tregtinë me shumicë, mund të sjellin kursime të konsiderueshme në shpenzime.

“Lidhjet përmes tregtisë dhe zinxhirëve të vlerave globale kanë qenë motor jetik i përparimit ekonomik për ekonomitë në zhvillim dhe i kanë nxjerrë shumë njerëz nga varfëria. Megjithatë, sipas trendeve aktuale, rritja tregtare globale do të ngadalësohet gjatë dekadës së ardhshme”, tha Nënkryetari i Grupit të Bankës Botërore për Rritje të Barabartë dhe Institucione Financiare, Indermit Gill. “Përderisa ekonomitë në zhvillim do të rimëkëmben nga pandemia COVID-19, ulja e shpenzimeve tregtare mund ta krijojë një mjedis të favorshëm për t’u angazhuar përsëri në zinxhirët e furnizimit global dhe për ta nxitur përsëri zhvillimin e tregtisë”.

Në një pjesë tjetër të raportit është ofruar një analizë e rimëkëmbjes në kuptim të inflacionit global që e ka shoqëruar veprimtarinë ekonomike në rimëkëmbje. Recesioni global i vitit 2020 e ka sjellë rënien më të vogël të inflacionit dhe rritjen më të shpejtë të inflacionit të pastajmë të pesë recesioneve të fundit globale. Përderisa inflacioni global ka të ngjarë të vazhdojë të rritet gjatë pjesës së mbetur të këtij viti, ky inflacion pritet të mbetet brenda niveleve të synuara në shumicën e vendeve që në cak e kanë trajtimin e inflacionit. Në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim ku inflacioni rritet mbi cakun e parashikuar, ndonjë reagim përmes politikave monetare mund të mos përligjet, me kusht që të jetë i përkohshëm dhe pritjet e inflacionit të mbesin të ankoruara mirë.

“Inflacioni më i lartë global mund t’i komplikojë zgjedhjet e politikave të tregjeve dhe ekonomive në zhvillim në muajt e ardhshëm, pasi disa nga këto ekonomi ende mbështeten në masat e mbështetjes për zgjerim për ta siguruar një rimëkëmbje të qëndrueshme”, tha Drejtori i Grupit të Gjasave në Bankën Botërore, Ayhan Kose. “Përderisa nuk trajtohen rreziqet nga borxhi i lartë në nivel rekord, këto ekonomi mbeten të cenueshme nga stresi i tregut financiar nëse përkeqësohet ndjenja e rrezikut në mesin e investitorëve, si rezultat i presioneve nga inflacioni në ekonomitë e avancuara”.

Edhe ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe përshpejtimi i inflacionit të përgjithshëm mund të përbëjnë sfida që ndërlidhen me pasigurinë e ushqimit në vendet me të ardhura të ulëta. Politikëbërësit në këto vende duhet të sigurojnë që nivelet në rritje të inflacionit të mos çojnë në një deankorim të pritjeve të inflacionit dhe të mos u rezistojnë subvencioneve ose kontrolleve të çmimeve për t’iu shmangur presionit në rritje mbi çmimet e artikujve ushqimorë në nivel global. Në vend të kësaj, më të dobishme do të ishin politikat që do të përqendroheshin në zgjerimin e programeve të sigurisë sociale, përmirësimin e logjistikës dhe qëndrueshmërisë klimatike të furnizimit me ushqim në nivel lokal.