Raporti i Avokatit të Popullit: Procesi për hidrocentralet është përcjellë me mangësi të vazhdueshme

Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar raportin me rekomandime kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit lidhur me çështjen e ligjshmërisë së procedurave që kanë të bëjnë me hidrocentralet në vend dhe qasjes në dokumente përkitazi me hidrocentralet.

Ky raport me rekomandime ka rezultuar pas hetimeve të Avokatit të Popullit lidhur me lëndët që kanë të bëjnë me çështjen e operimit të hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpcë.

Në raport janë të përfshira ankesa e Dobrivoje Stevanoviq dhe 1,200 banorëve  tjerë të Shtërpcës kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit lidhur me çështjen e hidrocentraleve në komunën e Shtërpcës, si dhe ankesa e Adriatik Gacaferit, përfaqësues i organizatës joqeveritare “Evironmentaly Responsible for Action” (ERA), kundër Komunës së Deçanit dhe ankesa nga Albulena Nrecaj, në emër të OJQ “INPO”, kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, që kanë të bëjnë me kufizimin e së drejtës për qasje në dokumentet që kanë të bëjnë me hidrocentralet.

Avokati i Popullit nga analiza e tërësishme ka vërejtur se procesi lidhur me hidrocentralet në vend është përcjellë me mangësi të vazhdueshme sa i përket aspektit procedural tredimensional, qasjes në informata, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi.

Ky Institucion ka vërejtur mangësi lidhur me procesin e operimit të hidrocentraleve, pakënaqësitë e qytetarëve dhe mbi të gjitha ndikimin e hidrocentraleve në mjedis.

Avokati i Popullit, duke marrë parasysh ndikimin e hidrocentraleve në mjedis, mangësitë lidhur me respektimin e së drejtës së qytetarëve për qasje në informata, të drejtës së pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi, si dhe pakënaqësitë e qytetarëve, dhe shoqërisë civile, nëpërmjet raportit kërkon vëmendjen e shtetit që t’i balancojë interesat publike me ato ekonomike, duke vlerësuar me kujdes interesin në mes të rëndësisë së prodhimit të energjisë nëpërmjet hidrocentraleve në vend në raport me ndikimin në mjedis që mund të jetë i rëndë dhe i pariparueshëm.

Tutje, në raport thuhet se Avokati i Popullit me qëllim që informatat lidhur me operimin e hidrocentraleve në vend të bëhen publike, që tash e tutje organizimi i proceseve të pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje të merret me seriozitet nga institucionet, që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial të ndërmarrin masa që rastet që lidhen me çështjen e kësaj natyre dhe të kenë të bëjnë me mjedisin, t’i trajtojë me prioritet.

Saktësisht, ky institucion, i ka rekomanduar Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit të bëjë publik tërë dokumentacionin lidhur me hidrocentralet në vend, Komunës së Deçanit që të bëjë publike tërë dokumentacionin lidhur me hidrocentralet në komunën e Deçanit, Komunës së Shtëpcës të bëjë publike tërë dokumentacionin lidhur me hidrocentralet në komunën e Shtërpces, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës të ndërmarrin masa që rastet që lidhen me hidrocentrale t’i trajtojnë me prioritet.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.

Më 18 korrik 2019, Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me operimet  hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpcë.

‘Homazhe për lumin e vdekur’, kundërshtohet operimi pa leje i hidrocentraleve në Deçan