Raporti gjashtë mujor i punës së Përparim Ramës, opozita thotë se kryetari përvetësoi punët e të tjerëve

Raporti që “pasqyron të arriturat” e ekipit të kryeqytetit është përcjellur me kritika nga partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Prishtinës, pas prezantimit të raportit që e bëri kryetari Përparim Rama.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në seancën e kuvendit komunal që është duke u mbajtur të hënën përmendi disa projekte që kanë shënuar angazhimin e tij dhe të ekipit për gjashtë muaj në udhëheqje të kryeqytetit.

Rama fjalimin e tij e nisi duke përmendur projektin e ndërtimit të “Rrugës A”, punimet e të cilës përsëriti se do të fillojnë këtë vit. Pjesa e parë e rrugës do të përfshijë segmentin nga “Veterniku” deri tek vazhdimi i “Rrugës B”.

“Ndër të mëdhatë e projekteve infrastrukturore, është  Rruga ‘A’, e cila do të fillojë punimet këtë vit, duke përfshirë instalimet nëntokësore. Ndërtimi i segmentit të parë do të kushtojë rreth 8.5 milionë euro. Përfunduam për 40 ditë edhe rrugën ‘Muharrem Fejza’. Rruga Rimanisht – Siqevë si dhe dhjetra rrugë tjera periferike që janë në ndërtim e sipër, të gjitha këto do të përfundojnë gjatë muajit tetor. Nënshkruam kredi të butë BERZh-in për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike, kurse me MMPHI lidhëm marrëveshjen për realizimin e projektit “Unaza e Mesme e Prishtinës'”.

“Me Bankën Botërore dhe SupwrWien kemi nisë diskutimet për zgjatimin e shëtitores ‘Nënë Tereza’. Shumë nga hapësirat, rrugët, trotuaret e sheshet publike janë liruar nga uzurpimi i paligjshëm. Ndër ta është atriumi i Pallatit të Rinisë, tashmë i kthyer në shesh loje për fëmijët. Janë heqë e po hiqen shitësit ambulantë, ndërtesat e braktisura po revitalizohen dhe po profilizohen. Ndër këto vlen të përmenden Tullëtorja, ish-bibilioteka ‘Hivzi Sulejmani’, si dhe ish-kinema Rinia, që kthehet në pronësi të Kryeqytetit” – tha kryetari Rama.

I pari i Prishtinës në raportin e tij të punës e ka të përmendur edhe krijimin e Zyrës së Arkitektit të Qytetit.

Për këtë çështje, i janë kushtuar tri fjali në raportin e punës ku thuhet vetëm se “janë identifikuar nevojat e shërbimeve inxhinierike/investive. Janë përpiluar termat e referencës konform nevojave të identifikuara. Lënda është në proces të prokurimit”.

KALLXO.com ka raportuar me 6 gusht 2022 se Komuna e Prishtinës e cila udhëhiqet nga një arkitekt, ka hapur tender për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.

“Ka filluar procesi për caktimin e Arkitektit të Qytetit, me Policinë e Kosovës kemi vendimin e përbashkët për vëzhgimin me kamera të hapësirave publike, është vënë në binarë edhe procesi për ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit, të Pallatit të Operas dhe Baletit, tre soliterat ikonikë me dy ndërtesat shoqëruese shumëbanesore po rinovohen, projekti HeatSave i Termokosit po ec mbarë, procesi për një revilatizim dinjitoz të Tregut të Gjelbër është inicuar, kemi ndarë lokacionin për Liceun Artistik dhe kemi bërë ndërhyrje infrastrukturore në shumicën e shkollave në gjithë terrirorin e Komunës, kemi subvencionuar shtimin e serrave në zonat rurale, kemi të dhëna empirike për jetësimin e Unazës së Brendshme të qytetit, si dhe po i shtojmë bashkësitë lokale në fshatra e në lagje të qytetit” – tha tutje kryetari Rama. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK

Gëzim Sveçla, shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e ka quajtur “raport kozmetik pa përmbajte”. Sipas tij në këtë raport, kryetari Rama ka marrë merita për punët e të tjerve.

Sveçla tha se festivalet të cilat në raport janë përmendur si punë të kësaj qeverisje, janë festivale që ndër vite janë zhvilluar në kryeqytet.

“Edhe përse raporti supozohet të raportohet për punët që janë bërë, këtu më shumë po flitet për punët që do të bëhen. Në kushte të tilla, më shumë ngjason në një material propagonistik zgjedhor sesa raport zyrtar. Në faqen katër të raportit, menjëherë shpërfaqet tendenca e kryetarit Rama për përvetësimin e meritave dhe marrja e autorësisë për punët dhe veprimet e të tjerëve. Është e pakuptimt që si punë të kryera dhe të arritura të paraqiten mbajtja e festivaleve të ndryshme të cilat tashmë janë tradicionale për kryeqytetin. Kryetar, festivalet si Sunny Hill, Chopin Piano Fest, Etnofest, e festivalet tjera që i keni përmend, për vite të tëra prezantohen në Prishtinë. E kam parasysh që nuk keni informacione që këto festivale janë organizuar edhe në të kaluarën, sepse nuk keni jetuar këtu, por dikush është dashur me ju njoftu. Pra, s’mundeni me thanë që i keni organizu, se ato janë mbështet gjithmonë. Edhe tek sporti, po ashtu përvetësim meritash” – tha Sveçla.

Ai i tha kryetarit Rama se i kanë shndërruar ndërmarrjet lokale në ndërmarrje partiake. “Pazare me PDK, pazare me LDK, pazare për bashkëpunëtor” – tha asamblisti Sveçla.

Për projektin për zyrën e arkitektit të qytetit, asamblisti i NISMA-s, Endrit Zabërgja e pyeti kryetarin Përparim Rama se përse në fushatë e ka luajtur rolin e arkitektit, kur në fakt, sipas tij, do të punësonte një të tillë.

“Ajo çka m’bëri përshtypje ke që në pjesën e Prishtinës së Investimeve ke krijimi i Zyrës së Arkitektit të qytetit, derisa ende nuk po mundem me kuptu se çfarë investimi është me kriju zyren e arkitektit te qytetit, kur kryetari i qytetit qe vet është arkitekt edhe që pas vetes e ka drejtorinë e planifikimit strategjik e gjithë këtë administrate. Nëse e ke dite që ki me punesu ni arkitekt tjetër, bile ish kanë morale në fushatë mos me na lujt arkitektin, se qesi arkitekti qe pagun ka 4 milionë në vit për arkitekt muj me kan edhe une kryetar. E në këtë pikë, fatkeqësisht mendimet e mija përputhen me mendimet e kryetarit të Akademisë së shkencave që shprehet se ju me punë nuk po i afroheni as kungjave te Shpend Ahmetit” – tha Zabërgja.

Në anën tjetër, edhe asamblisti tjetër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bahri Gashi, kritikoi për faktin se vetëm 5 për qind e buxhetit për projekte kapitale janë shpenzuar. Ai përmendi edhe problemin e qenve endacak dhe të mbeturinave.

“Unë e kam lexu këtë raportin administrativ dhe ka korrespodu shumë keq me raportin financiar, aty thotë që nga 5.14% të buxhetit të projekteve kapitale janë shpenzu. Shumica e projekteve janë shumë më herët, nuk janë të kësaj administrate. As në buxhet nuk ish mëndu kurrgjë për problemin me qentë as për bërllokun. Na kemi inssitu me qenë edhe në grup punues për problemin e qenve, e kemi kërku një strategji para disa muajve, na është premtu që ka me na u dhanë, po s’na u ka dhanë kurrë, sic duket është sekret. Nuk na kanë ftu në grupe punuese që na është premtu prej nënkryetarit ose kryetarit, e pastaj kemi një thirrje publike për ndihmën e qytetarëve” – u shpreh Gashi.

Pas disa minutash diskutim, në kohën kur po diskutohej buxheti i Komunës për vitin 2023, opozita kërkon pauzë për “konsultim”. Pasi kjo nuk u miratua nga kryesuesi i Kuvendit komunal, opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës ka ndërprerë seancës duke lëshuar sallën. Me 25 asamblistë të pranishëm, nuk ka pasur kourum për të vazhduar punimet.

Aktualisht, që tashmë dy orë seanca është pauzuar.

KALLXO.com është e ka transmetuar drejtpërdrejt mbledhjen e shtatë të Kuvendit të Prishtinës.