Ranillug, vozitësi qarkullonte gjatë orës policore me tabela të falsifikuara e veturë të pa doganuar

Mbrëmë rreth orës 22:15 njësitet patrulluese të stacionit policor të Ranillugut, kanë ndalur vozitësin që po qarkullonte jashtë orarit të masave për COVID-19.

Sipas Ismet Hashanit, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjilanit, gjatë kontrollit, patrulla ka dyshuar se vetura ishte me tabela të falsifikuara.

“Me 19 prill 2021 rreth orës 22:15 nga Policia e Kosovës njësitet patrulluese të stacionit Policor të Ranillugut kanë ndalur të dyshuarin B.Xh. në fshatin Ranillug, duke e drejtuar veturën ‘Audi A4’ me targa 06. Gjatë kontrollit, teksa i janë kërkuar dokumentet për veturën dhe pasagjerit, pasi ishte koha e ndalim qarkullimit (në bazë të masave anti-COVID të Qeverisë së Kosovës), patrulla ka dyshuar se vetura në fjalë kishte të falsifikuar tabelat e regjistrimit”, ka thënë Hashani.

Sipas tij, pas intervistimit, tek i dyshuari janë gjetur prova se tabelat nuk janë të veturës dhe se kjo e fundit nuk ka qenë as e doganuar, kurse tabelat ishin të një veture tjetër.

“I dyshuari është sjell në stacionin policor dhe gjatë intervistimit janë gjetur prova të bazuara që tabelat nuk i përkasin kësaj veture dhe po ashtu mjeti nuk është i doganuar e tabelat të cilat gjendeshin të vendosura, janë të një veture tjetër”, ka shtuar Hashani.

Nga policia theksohet se në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që t’i dërgohet njësisë së hetimeve, si dhe të hetohet edhe prejardhja e tabelave të cilat ishin të vendosura në automjet.

Automjeti është ndalur nga ana e policisë, deri në vendimin e ardhshëm të prokurorit ndërsa, rasti është ende duke u hetuar.