Komuna e Ranillugut

Ranillug, banorët presin zhvillim të fabrikave nën pakënaqësi me infrastrukturën

Me më pak se 4 mijë banorë të regjistruar dhe me 13 fshatra, Komunës së Ranillugut i duhet të ofrojë shërbimet komunale me një buxhet jo shumë të madh.

Komuna e vogël popullohet në shumicë nga komuniteti serb por ka edhe fshatra të banuara me shqiptarë.

Mes banorëve ka mendime të ndara lidhur me atë se a është bërë mjaftueshëm nga komuna për zhvillim e infrastrukturë.

Në ndërkohë, komuna vazhdon të përcillet me probleme të mungesës së punësimit si dhe deponive të bërllokut që përshkojnë gjithë komunën. 

Ferma e pulave e braktisur pret investime

Në fillim të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia ktheu Komunës tokën e Kooperativës Bujqësore dhe Fermës së Pulave, e cila më parë ishte marrë nga Agjencia e Privatizimit dhe i ishte dhënë një personi privat. Në një sipërfaqe prej më shumë se 30 hektarë janë 11 salla për rritjen e zogjve. Më shumë se 90 persona kishin punuar në kuadër të njësisë organizative “Ferma e shpezëve” në ekonominë bujqësore, fermën e zogjve, tregti dhe shitje.                                      

Ndërtesa e ish-Fermës së shpezëve

Zhivko Arsiq nga Ropotova e Madhe ishte punëtor në fermë dhe shpërndante koncentrat për ushqimin e zogjve. Ai pretendon se nevojiten investime të mëdha për ta rivënë në funksion fermën.

“Ka shumë dëmtime, janë vjedh shumë materiale, siç janë gypat për ngrohje qendrore, madje edhe struktura e kulmit ka nis të prishet sepse njerëzit hiqnin dhe merrnin pllakat. Objekti ruhej për një kohë nga ish-punëtorët, por edhe ata çuan duart dhe tani çdo gjë i është lënë ndikimit të kohës”, thotë Arsiq.

As marrëdhëniet pronësore-juridike nuk janë zgjidhur. Toka që i ishte marrë fshatarëve, të cilëve iu është fal mali si zëvendësim, iu dha në shfrytëzim kooperativës bujqësore në mënyrë që në atë vend të krijoheshin parcela bujqësore të mirëfillta. Në ndërkohë, kooperativa u mbyll, toka iu kthye komunës dhe me këtë u mbyll cikli. Një sipërfaqe e madhe toke afër fshatit, pranë ish-fermës së shpezëve, është mbuluar me bar dhe kaçube.

“Për ta vënë në veprim këtë përsëri nevojiten investime të mëdha dhe para, komuna nuk mund ta bëjë këtë vet, këtu na duhet një investitor i fortë për ta vënë në funksion gjithë këtë”, pohon Arsiq nga Ropotova e Madhe.

Ranillugu me rrethinë

Përpjekjet për të zbuluar nga kryetari aktual Vlladica Aritonoviq se cilat janë planet e komunës në lidhje me fermën e shpezëve dhe ndërtimin e një uzine për përpunimin e erëzave, bimëve mjekësore dhe frutave të malit mbetën të pasuksesshme. 

Edhe pse në fillim ishte pajtuar për të folur, pas disa ditësh e anuloi intervistën për shkak të, siç tha ai, arsyeve familjare. 

Rrugët në ndërtim e deponitë e bërllokut kudo

Edhe pse dimri nuk është stinë e zakonshme për të punuar rrugët, në Ranillug me të madhe po kryhen punimet në asfaltimin e rrugëve.

Igor Mitiq nga Ranillugu thotë se është i kënaqur me punën e pushtetit komunal.

“Nuk ka asnjë arsye për të mos qenë të kënaqur, e shihni, po asfaltohet rruga afër çerdhes, të gjitha rrugët në fshat janë asfaltuar, mbeturinat po largohen, kemi kanalizim, kemi ujë, po ndërtohet një ambulancë e re, i kemi të gjitha gjërat bazike”, pohon Mitiq.

Rruga duke u shtruar në Ranillug

Në anën tjetër, shqiptarët nga Ropotova e Epërme nuk janë të kënaqur me punën e administratës komunale dhe pohojnë se asnjë kërkesë që ia kanë dërguar pushtetit lokal nuk është përmbushur.

Shaqi Rudi dhe fqinji i tij Përparim Smirqi theksojnë se pushteti lokal nuk ka bërë asgjë për familjet shqiptare në këtë fshat të vogël. 

Edhe pse kanë kërkuar asfaltimin e rrugëve për ta bërë më të lehtë lëvizjen e tyre në dimër, vendosjen e ndriçimit rrugor, rregullimin e kanalizimit, nuk morën asgjë nga këto.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Ranillugut, Dejan Jovanoviq, pohon se në komunitetet shqiptare është investuar aq sa lejonin mjetet e buxhetit komunal.

“Para pak kohësh kemi kryer rrugën që ndan pjesën e re të fshatit Duboc, është një nga dy lagjet shqiptare në komunën tonë”, thotë Jovanoviq.

Në hyrje të fshatit të vogël Ropotovë e Epërme, buzë rrugës gjendet një deponi ilegale e bërllokut.Janë 40 sosh në Komunën e Ranillugut.

 Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Ranillugut konfirmojnë se ata janë të njoftuar me situatën dhe se deponitë do të ishin hequr me kohë nëse nuk do të ishte problem mungesa e kapaciteteve.

“Ne kemi punëtorë, por nuk kemi mundësi teknike. Kemi vetëm një automjet që është prishur disa herë dhe të cilin e kemi riparuar. Automjeti qarkullon çdo ditë dhe mbledh mbeturina në territorin e të gjithë komunës. Kur na prishej automjeti ne huazonim një kamion nga Komuna e Parteshit dhe nga ndërmarrja “Eko higjiena” nga Gjilani në mënyrë që të mund t’i largojmë mbeturinat.

 Kemi kërkuar ndihmë nga organizatat joqeveritare dhe ndërkombëtare dhe institucionet qendrore në Prishtinë për të na miratuar mjetet për blerjen e një kamioni tjetër, por nuk morëm asnjë përgjigje”, thotë drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Ranillugut, Ivan Janiqijeviq.               

Një nga deponitë ilegale në afërsi të Ropotovës së Madhe

Ai pretendon se deponitë ilegale nuk janë të mëdha dhe, po të ekzistonin mundësitë teknike, të gjitha ato do të mund të hiqeshin brenda dy muajsh.

Në anën tjetër, Komuna ka investuar në rinovimin e ndërtesave të shkollës, ndërsa në Shtëpinë e Kulturës në Ranillug inventari i vjetër është zëvendësuar me të ri. Megjithatë edhe kjo komunë po përballet me problemin e largimit të të rinjve.

Edhe në këtë komunë është i njëjti rast si në komunën e Parteshit, një numër i madh i të rinjve largohen sepse nuk ka punë, por edhe në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.

Kryetari i Kuvendit Komunal, Dejan Jovanoviq, pretendon se të rinjtë nuk largohen përgjithmonë nga kjo komunë.

“Migrimi natyror ekziston në të gjitha komunat dhe nuk bëhet fjalë për largim të përhershëm, por për punë sezonale. Njerëzit gjithmonë kërkojnë më mirë, ne përpiqemi të punësojmë sa më shumë të rinj përmes projekteve të ndryshme që ka komuna, situata është e vështirë, por ne përpiqemi të punojmë sa më mirë”, tha ai.

Zhivko Arsiq, bujk nga Ropotova e Madhe, thotë se një numër i madh i të rinjve janë larguar nga ky fshat vitin e kaluar.

“Të rinjtë po largohen, rreth 60-70 janë larguar nga ky dhe fshatrat tjera. Nuk po largohen vetëm serbët, po largohen edhe të rinjtë shqiptarë, këtu nuk ka as punë as perspektivë”, thotë Arsiq. 

Sfidat me pandeminë

COVID-19 nuk e anashkaloi as këtë komunë, mirëpo numri i të infektuarve në raport me numrin e banorëve nuk ishte i madh, kështu që Ranillug klasifikohet si zonë e gjelbër.

Qendra e mjekësisë familjare me kapacitet më të madh që do të përmbushte nevojat e popullatës nuk ka përfunduar ende. Qytetarët i marrin shërbimet e nevojshme të trajtimit mjekësor në ambulancën ekzistuese, brenda së cilës është edhe një COVID- ambulancë. Siç na është konfirmuar, të gjitha rastet më serioze të infektuarve me coronavirus dërgohen nga këtu në spitalin e Pasjanit për trajtim të mëtejshëm.

Ambulanca në Ranillug

Gjatë valës së parë të pandemisë, të rinjtë nga këtu dhe vendet përreth, të mbledhur në Këshillin Rinor, ndihmuan një numër të madh të bashkëqytetarëve të moshuar në fshatrat më të largëta të kësaj Komune.

“Në bashkëpunim me Komunën e Ranillugut, u dakorduam të ndihmojmë të gjithë qytetarët gjatë pandemisë duke siguruar dhe sjellë atyre ilaçe dhe artikuj kryesor ushqimor. Ne mblodhëm më shumë se 50 vullnetarë të cilët me të vërtetë punuan shumë dhe ndihmuan bashkëqytetarët tanë për katër muaj, pa asnjë ditë pushimi. Ia dolëm të vizitojmë të gjitha fshatrat në komunën tonë dhe t’iu sjellim ndihmën atyre që kishin më së shumti nevojë për të”, thotë kryetari i Këshillit Rinor, Marko Jovanoviq.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).