Foto: KALLXO.com

Ramush Haradinaj publikon letrën ku kishte konfirmuar se FSK-ja ka mandat në veri

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas publikimi të marrëveshjes ‘sekrete’ të presidentit Hashim Thaçi me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ku Thaçi, atëherë kryeministër, i garantonte se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të operojë në veri pa leje të KFOR-it.

Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë që pas transformimit të FSK-së në Ushtri më 9 janar 2019 i ka shkruar letër Sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, në të cilën ka kërkuar që të zhvleftësohet marrëveshja e vitit 2013.

“Qëllimi i letrës ishte të njoftohet se pas votimit të ligjeve në Kuvend, zhvlëftesohen kufizimet territoriale në letrën së ish-KM Thaçi në vitin 2013, dhe i bëj ftesë NATOs që përmes KFORit të nënshkruajmë protokoll të ri bashkëpunimi operacional, këtë herë pa kufizime territoriale”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Haradinaj ka thënë që marrëveshja në fjalë nuk ka implikime ligjore kushtetuese dhe FSK-ja mund të shkojë në veri.

“Për të evituar populizmat dhe shqetësimet e ngritura sot rreth letrës 2013, dhe implikimeve të mundshme ligjore e Kushtetuese, siguroj qytetarët e Kosovës se sot FSK-ja ka mandat të plotë në tërë territorin e Kosovës, pa asnjë kufizim”, ka shkruar ish-kryeministri.

Haradinaj tutje ka thënë që në letrën e dërguar më 9 janar ai i ka bërë ftesë ‘NATO-s/KFOR-it që të adaptojmë marrëdhënien tonë, pas votimit të 3 ligjeve në Kuvend, dhe të draftojmë procedurat e reja operacionale për bashkëpunim gjithëpërfshirës pa kufizime territoriale’.

Ish-kryeministri Haradinaj ka theksuar që marrëdhënia me NATO-n për Kosovën është ekzistenciale dhe duhet të ruhet e kultivohet me urtësi e mençuri, gjithnjë duke respektuar të kaluarën dhe mandatin në fuqi.

Shqetësimet e Kurtit, Haradinaj i ka konsideruar ‘lojë me marrëdhëniet strategjike si dhe tituj populist’.

Ish-kryeministri tutje ka sugjeruar pasardhësin tij, Albin Kurtin, që t’i lexojë 3 ligjet për FSK-në.

“Kryeministri Kurti i ka këto korrespodenca në dispozicion të plotë në Kryeministri, poashtu i ka votuar ligjet ku FSK-ja mandatohet pa kufizime territoriale në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, dhe do të duhej të jetë i vetëdijshëm tashmë se sa historik për përmbylljen e brendshme të sovranitetit të Kosovës ka qenë përgaditja, dërgimi, dhe votimi unanim i Ligjeve të FSK-së në dhjetor 2018”, ka theksuar Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pak më parë publikoi një letërkëmbim mes Hashim Thaçit dhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në vitin 2013 ku Thaçi i garantonte se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të operojë në veri pa leje të KFOR-it.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Uashingtoni nuk ka komentuar marrëveshjet e publikuara por vetëm ka shkruar se Kosova është e bekuar me miqësinë dhe aleancën strategjike që ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

 

 

 

Hashim Thaçi deklarohet pas marrëveshjeve të publikuara nga Albin Kurti

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!