Ramush Haradinaj në kafe me gjykatësin nga Deçani - FOTO
KALLXO.com ka pranuar një foto ku shihet Ramush Haradinaj së bashku me kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj, si dhe disa persona të tjerë, në mesin e tyre edhe një gjykatës në Gjykatën e Deçanit.
Gjykatësi në foto është Bekim Avdimetaj.
Avdimetaj në një bisedë për KALLXO.com e ka pranuar të këtë qenë në atë fotografi.
Avdimetaj tha se në atë lokal ka qenë me bashkëshorten dhe me një familjare, duke shtuar se Haradinaj vetëm është ulur për t’i përshëndetur.
“Unë kam dal për të pirë kafe me bashkëshorten time, dhe ai ka ardh në lokal, dmth ka qenë një rastësi, vetëm na ka përshëndetur 2 minuta”, tha gjykatësi Avdimetaj.
“Një teze e bashkëshortes e ka njohur atë, dhe prandaj ka ardh me na përshëndet, asgjë tjetër”, shtoi ai.
Gjykatësi tha se nuk është biseduar asgjë rreth punës së tij në gjykatë, vetëm se Ramush Haradinaj i ka përshëndetur të gjithë që kanë qenë aty në lokal.
Bekim Avdimetaj është gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë, Dega në Deçan, në divizionin civil.
Fotografia është publikuar edhe nga deputetja e partisë AAK, Time Kadrijaj.
“Kafe në Deçan me liderin Haradinaj” ka shkruar deputetja në fotografinë e publikuar.