Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ramush Haradinaj mesazh për Gucatin e Haradinaj: Qëndroni të fortë, lufta për liri e shtet vazhdon

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj dënimit që iu shqiptua sot krerëve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj nga Gjykata Speciale.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook kërkoi nga “bashkëluftëtarët” të qëndrojnë të fortë pasi sipas tij lufta për liri e shtet vazhdon.

Haradinaj në postimin e tij ka dhënë një histori të familjes së Nasim Hardinajt, të cilë kanë qenë pjesë e rezistencës së vazhdueshme të shqiptarëve të Kosovës.

Postimi i Plotë i Ramush Haradinaj:

Sot u dënuan krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Do i them pak fjalë për Nasimin.
Stërgjyshi i tij, Xhemajli i parë, pjesëmarrës në shumë luftëra kundër pushtuesve u vra në Gjakovë te kulla e Abdullah Pashë Drenit, në mbrojtje të Lidhjes së Prizrenit.
Gjyshi i tij, Xhemali i dytë, pjesëmarrës në të gjitha luftërat për liri. Bashkëshortja e tij, gjyshja e Nasimit, ishte bijë e Tishukëve, familje e njohur atdhetare në Dukagjin e Kosovë.
Babai i tij, Smajl Haradinaj, luftëtar i paepur për të drejtën e shqiptarëve, pjesëmarrës në lëvizjet antijugosllave dhe për bashkim me Shqipërinë, i burgosur politik mbi 20 vjet.
Nana Myzaqet, vëllau Naimi, motrat Shqipja e Naimja, bashkëshortja Xhejlanja, e veçanërisht vëllai i vogël Agroni që vuan nga një sëmundje e rëndë, e kuptojnë dhe e ndjejnë peshën e vendimit të sotëm, sepse nuk janë brezi i parë që përballohen me sfida të tilla.
Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon!

Ndryshe, gjatë ditës së sotme Hysni Gucati u dënua me 4 vite e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë dhe Nasim Haradinaj me 4 vite e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë.

Gucati e Haradinaj u gjetën fajtor sepse mes datave 7 dhe 25 shtator 2020 shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Gucati e Haradinaj shpallen fajtorë