Ramush Haradinaj: Ky është një program ideor, nuk i ngjason planit qeverisës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar programin qeverisës të Albin Kurtit për katër vitet e ardhshme, duke thënë se ai është një program ideor, e jo një plan i mirëfilltë qeverisës.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Haradinaj i dha një këshillë kryeministrit Kurti, duke i thënë që të hartojë një plan implementues.

“Një plan të veprimeve dhe detyrave, me afate kohore dhe me kosto. Si dhe çka do të ndodhë, që ta dinë qytetarët e Kosovës çka do të bëhet me ta. Nëse e leni si është sot, i keni lënë ministrat pa detyra. Nuk i keni jap një kornizë të qartë ministrave, iu keni lënë hapësirë të madhe që me e zgjedh”, tha Haradinaj në foltoren e Kuvendit.

Haradinaj, po ashtu pati kritika për Qeverinë Kurti dhe programin qeverisës edhe në projektet kapitale. Ai tha se kur hiqen paratë e një projekti, duhet edhe të bëhet përllogaritja fillimisht.

“E di që është krizë shëndetësore sidomos, por edhe buxhetore e financiare, por tek projektet kapitale, kur i heqni paratë, mirë është me u bo një përllogari e gjithanshme. Ka projekte që i hiqet krejt buxheti, ose prishen memorandumet me komunat dhe ato janë në shërbim të qytetarëve dhe nuk ka logjikë”, tha Haradinaj.

Në fund të fjalës së tij, Haradinaj pyeti Kurtin se ‘çfarë plani ka’ duhet të tregojë.

“Nëse ke plan me i gjujtë përgjegjësitë qysh ke bo herën e parë, tregona gjithë neve ta dimë. Nëse ke plan me ndejtë sa e ke mandatin, ju lutem mos i zhgënjeni qytetarët. Ka plot njerëz që kanë dëshirë me pas sukses”.