Ramush Haradinaj i quan "defilime" bastisjet në shtëpinë e Jakup Krasniqit

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj po i konsideron si defilime, basistjet e hetuesve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në shtëpinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Defilimet e tilla nga EULEX, veçanërisht në prani të familjarëve janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës jo proporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor” tha Haradinaj në një shkrim në Facebook.

Sipas tij, operacionet e tilla nëse kërkohen nga organet e drejtësisë, mund të realziohen nga Policia e Kosovës.

Haradinaj tha që këto veprime nuk janë në përputhje me standardet e shteteve demokratike.

Hetuesit e ZPS-së sot kanë kryer operacione në shtëpinë e ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit.

Sipas njoftimit, operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

KALLXO.com mori vesh që bastisja po zhvillohet në shtëpinë e Jakup Krasniqit.