Ramush Haradinaj heq dorë nga pozita e deputetit  

Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ka hequr dorë nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës ende pa u formuar legjislatura e re.

Haradinaj ka bërë të ditur se ulësen e tij në Kuvend do ta lërë për kolegët e tij, duke shtuar se do të vazhdojë të mbajë të hapura dyert e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani.

“Do të vazhdoj të mbetem besnik ndaj vullnetit tuaj politik, besimit që ma keni dhënë dhe përkrahjes së vazhdueshme e të pakursyer për tash e 20 vite, përgjatë të gjitha proceseve që ka kaluar vendi”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social ‘Facebook’.

“Fati im personal e politik, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se fati i Kosovës. Në secilin rast, do të vazhdoj punën e pandalshme në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe do t’u qëndroj në krahë edhe kundërshtarëve politik, nëse ata do të vazhdojnë drejtimin që nisëm ne, për mbrojtjen dhe forcimin e interesit strategjik dhe sovranitetit të Kosovës”, ka shtuar tutje kryeministri në detyrë.

Lideri i AAK-së është shprehur se ua ka borxh rikthimin e fuqishëm të një Aleance “të pjekur, të strukturuar mirë, me kuadro të reja, gjithsesi me rrënjë të forta thellë në tokën e Kosovës”.

Gjithashtu, ai ka uruar që sa më parë të ketë konstituim të institucioneve.

Kujtojmë se vendi ka shkuar në zgjedhje të parakohshme paralamentare për shkak të dorëheqjes se Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit pasi që ka pranuar ftesë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Zgjedhjet janë mbajtur me 6 tetor e sipas rezultateve të deritanishme prin Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duke lënë mbrapa PDK-në dhe AAK-PSD.