Ramush Haradinaj fshiu fotografinë ku shihej i akuzuari për fajde

Orë më parë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, publikoi disa fotografi nga vizita që i bëri familjes Kqira në Prizren.

Por në njërën fotografi ishte edhe njëri prej të akuzuarve për fajde, Gjon Kqira.

Këtë foto Haradinaj e ka fshirë nga profili i tij në Facebook.

Haradinaj në këtë takim i ndau familjes Kqira medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”.

Para dhe Pas fshirjes së fotografisë.

Fshirja e fotos ka lënë gjurmë edhe në historikun e postimit të tij, e cila dëshmon se një fotografi e fshiu në “Facebook”.

Historiku i postimit të Ramush Haradinajt

Kqira është i përfshirë në rastin ’Kristal’, e cila është njëri ndër rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.

Kqiraj ishte dënuar me 2 vjet e 5 muaj burg për veprën penale organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm dhe me 1 mijë e 500 euro dënim me gjobë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Në këtë rast të akuzuar përveç Gjon Kqirajt janë edhe Tunë, Marjan, Gjekson, Gëzim, Kastriot Kqira, Edison Oma dhe Benson Buza të akuzuar për veprat penale krim i organizuar lidhur me veprat penale organizim i skemave piramidale dhe bixhoz te paligjshëm, detyrim, fajde, armëmbajtje pa leje.

Gjon Kqira i ulur në Gjykatë në rastin “Kristal”, Foto:KALLXO.com

Sipas aktakuzës, grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.