Ramosaj: Projektbuxheti i vitit 2023 cenon autonominë financiare të komunave të Kosovës

Kryetari i Komunës së Deçanit, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bashkim Ramosaj ka reaguar në një konferencë për media lidhur me Projektligjin për buxhetin për vitin 2023, i cili parasheh që t’ua mbledh komunave të hyrat e pashpenzuara vetanake nga viti paraprak fiskal 2022.

Ramosaj gjatë një konference në selinë e AAK-së, tha se me këtë projektligj cenohet autonomia financiare e komunave të Kosovës.

“Në këtë rast është cenuar diçka që komunave u jepet me ligje, Kushtetutë që janë taksat që i marrin nga qytetarët”- shtoi ai.

Ramosaj këtë e ka vlerësuar si goditje financiare që u bëhet komunave. Ai i ka bërë thirrje Qeverisë të mos i cenojë kompetencat e komunave.

“I bëjë thirrje kryetarit të Parlamentit, Parlamentit, Ministrisë së Financave, Qeverisë dhe kryeministrit të kenë kujdes mos të cenojnë autonomin e kompetencat e Komunave të Republikës së Kosovës se do të ishte precedent i keq” – shtoi ai.

Ramosaj tha se hapi i parë që e kanë ndërmarr si AAK është apeli që po i bëhet Kuvendit e Qeverisë, kurse ka paralajmëruar se nëse nuk respektohet kjo ftesë do të ndërmarrin hapa ligjor deri te adresimi në Gjykatën Kushtetuese.

Me 17 nëntor Kuvendi e ka miratuar në parim buxhetin për Kosovën për vitin 2023.

Ky projektligj për buxhetin e Kosovës ka marrë 64 vota pro, 1 kundër dhe një abstenim.

Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Për këtë projektbuxhet shqetësime ka ndarë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama (LDK) duke e kundërshtuar fuqishëm nenin 6 pika 9 i cili sipas tij përcakton se të gjitha të hyrat vetanake  të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar.