Ramosaj: Numri i pacientëve në Deçan ka kaluar mbi 1,500

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në një konferencë ka bërë të ditur se numri i pacientëve të cilët dyshohet se janë helmuar ka kaluar shifrën 1,500.

“Numri i pacientëve në komunën e Deçanit e ka kaluar 1,500. Prej tyre janë që kthehen edhe për herë të dytë edhe të tretë për tretman. Është një fluks shumë i madh. Dje i kemi marrë rezultatet e analizave nga IKShPK, që rezulton se uji kimikisht është i pastër dhe i përdorshëm. Mirëpo duhet bërë analiza shtesë që të dihet shkaku që ka ardhur gjithë ky infeksion apo ky helmim. Dje e kemi pasë vëmendjen e institucioneve te shtetit, ministria na ka sjell edhe një kontingjent me barna”, ka thënë ai.

Gjithashtu i pyetur nga KALLXO.com lidhur me faktin se një situatë e tillë ka ndodhur edhe në muajin qershor, Ramosaj tha se janë bërë analizat dhe ka rezultuar se nuk ka qenë shkak uji nga burimi i Deçanit.

“Ne kemi pasur në 10 ditëshin e parë të qershorit një situtatë të tillë me banorët e Kryshevcit nga Peja, të cilët furnizohen me ujë nga Deçani. Atëherë janë bërë analiza dhe kanë dalë që nuk është uji. Por tash na duhet të bëjmë edhe analiza tjera më të thella..Në Deçan po ndodh kjo që e dimë gjithë, por pa i pasë të gjitha analizat nuk mund të kemi ndonjë përgjigje”, u përgjigj Ramosaj.

KALLXO.com ka qëndruar sot gjatë ditës aty për të parë për së afërmi situatën e krijuar atje, dhe nga informacionet e siguruara kuptojmë se 120 pacientë kanë marrë infuzion gjatë ditës së sotme.

Kokëdhimbja, marramendja, barkqitja e të vjellurat janë simptomat të cilat i kanë rreth 1,500 qytetarë të Deçanit.

Fillimisht dyshohej se qytetarët e Deçanit janë helmuar nga uji i ujësjellësit “Hidrodrini” në këtë komunë por analizat e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dolën negative.

Kryetari i kësaj komune ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.