Bashkim Ramosaj, Kryetar i Deçanit

Ramosaj: Lëshohet ujësjellësi në Deçan, uji të përdoret vetëm për nevoja sanitare

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se nga sot do të jetë në funksion ujësjellësi në këtë komunë.

Deçani po përballet me situatë emergjente pasi më shumë se 1,500 qytetarë dyshohet se janë helmuar nga uji.

Ramosaj ka lutur qytetarët që ujësjellësi të përdoret vetëm për nevoja sanitare dhe se uji për nevoja të amvisërisë rekomandohet të përdoret vetëm pasi të vlohet.

“Në takimin e mbajtur sot me Shtabin për Menaxhimin e Emergjencave dhe sipas rekomandimeve të IKSHPK-së nga sot do të jetë në funksion ujësjellësi në Komunën e Deçanit. Luten të gjithë qytetarët e Komunës së Deçanit të zbatojnë kriteret e poshtëshënuara për përdorimin e ujit: 1.Uji të shfrytëzohet vetëm për nevoja sanitare! 2.Uji për nevoja të amvisërisë rekomandohet të përdoret vetëm pasi të vlohet! Këto kritere zbatohen deri në një vendim tjetër”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.

KALLXO.com sot ka raportuar se Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Hidrodrini” kanë vendosur që nga ora 13:00 sot të rikthejnë furnizimin me ujë në fshatrat e komunës së Deçanit.

Qytetarët deçanas dyshohet se janë helmuar nga një rrjet furnizues i kësaj kompanie, ndërsa rezultatet finale të analizave ende nuk janë bërë të ditura nga Instututi i Shëndetësisë Publike.