Ramosaj komenton për rrotën e ekskavatorit në Drenoc që shërben si rrethrrotullim

Një gomë e ekskavatorit në mes të rrugës së fshatit Drenoc të Deçanit qëndron që gjashtë vjet në vendin e njëjtë.

Ajo po shërben si rrethrrotuillim në rrugët që kryqëzohen në këtë fshat e që e lidhin edhe me Junikun.

Në emisionin “Jeta në Komunë”, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se rrethrrotullimi në Deçan do të rregullohet vitin e ardhshëm.

“Këtë vit, nuk mund të rregullohet, vitin tjetër mundet me u kry kah marsi e tutje, deri kah muaji maj mund të përfundojë”, tha ai.

Në anën tjetër, banorët e fshatit kanë thënë se kishin premtime për rregullimin e rrethrrotullimit, po asnjëherë ai s’u bë.

“Ne si fshatit i Drenocit e kemi një hall të pazgjidhur, tash e gjashtë vjet. Kur është asfaltuar kjo rrugë këtu, e kemi pasur rrugëkryqin në fshat që lidh fshatrat, e kemi pasur të rregulluar me donacion të vetë fshatrave. Atëkohë u patën zotuar komunarët që do ta rregullojnë, tash e pesë vjet udhëkryqi i parregulluar. Tash e kemi një gomë të bagerit e cila po shërben aty, shumë herë i kam bë pyetje, pse s’po e rregulloni”, ka thënë Halil Dukaj, kryetar i fshatit Drenoc për emisionin “Jeta në Komunë”.