Ramiz Lladrovci - 12.04.2019 - FOTO KALLXO.com

Ramiz Lladrovci zgjidhet ushtrues detyre i kryetarit të degës së PDK-së në Drenas

Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në këtë komunë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Drenasi ‘është bastion i pathyeshëm i Partisë Demokratike të Kosovës dhe qytetarët e Drenasit nuk kanë pasur kurrë dilemë se ku është adresa e tyre politike’.

“Ramiz Lladrovci është dhe do jetë kryetar i Drenasit, sepse puna e tij është vlerësuar nga qytetarët dhe fitorja e tij s’do të mund të grabitet nga oportunistët”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook.

Ai madje shtoi se nga dita e sotme i njëjti do të ushtrojë detyrën e kryetarit të degës së PDK-së në këtë komunë dhe i njëjti do të udhëheqë kryesinë e re të degës.

Sipas Krasniqit, ky vendim u votua sot në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ramizi e ka transformuar Drenasin dhe ka plan e pasion për zhvillimin e mëtejmë e kësaj komune. Për të, kjo garë nuk është manifestim i pushtetit, por përkushtim ndaj qeverisjes që zhvillon e hapë perspektivë. Prandaj, ai do të fitojë, sepse qytetarët e Drenasit janë të vendosur për zhvillim dhe ata e dinë se zhvillimi në Drenas është projekt i përhershëm i Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar tutje Krasniqi.

Ramiz Lladrovci do të shkojë në balotazh, i cili do të mbahet më 14 nëntor, pasi nuk mori votat e mjaftueshmë për t’u bërë kryetar i Drenasit në rundin e parë.

Ramiz Lladrovci ka dalë i pari me 10 mijë e 134 vota (45.62 për qind), ndërsa Driton Ajazi nga DD ka marrë 30.74 për qind apo 6 mijë e 829 vota.

Gjithashtu kujtojmë se në gusht të këtij viti ish-kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, kishte njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e tij.

Hoxha kishte thënë se dorëheqja e tij vjen pas situatës së krijuar në degën e partisë në Drenas.

Në një letër të bërë publike në profilin e tij në Facebook, Sejdi Hoxha ka thënë se ka dhënë gjithçka nga vetja e tij për ta mbajtur degën unike dhe të fuqishme porse kjo ka rezultuar e pamundur, “sepse ka shumë probleme të cilat i tejkalojnë kompetencat e mia si kryetar i degës, dhe për pasoje erdhi deri të shpërthimi i shumë pakënaqësive të cilat tash më janë të njohura për opinionin”

Sipas Hoxhës, PDK në qendër e kishte injoruar dhe e ka neglizhuar situatën e krijuar në Drenas duke mos e trajtuar me seriozitetin që e meriton, prandaj edhe duhet ta mbajë pjesën e përgjegjësisë për këtë situatë.