Ramiz Lladrovci - Foto: KALLXO.com

Ramiz Lladrovci reagon pas arrestimit të drejtorit të tij

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas arrestimit të drejtorit të Infrastrukturës, Idriz Hysenaj, duke thënë se pas pranimit të informacionit zyrtar për dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do te marrë vendim pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e tij.

“Pas pranimit të shqetësimeve për shfrytëzim të pa autorizuar të pronave komunale, rrjedhimisht të banesave pronë të komunës, për të hequr dyshimet, kam iniciuar rastin pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë. Ky inicim i rastit që kam adresuar është në mesin e shumë rasteve të tjera, pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e kurrkujt”, ka shkruar Lladrovci.

KALLXO.com raportoi sot se Policia e Kosovës ka arrestuar sot drejtorin e Infrastrukturës në Komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj nën dyshimin se për interesa personale dhe të kompanisë së tij (kompani për ndërtimin e objekteve banesore) ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

Ky është postim i tij i plotë i Ramiz Lladrovcit në rrjetin social ‘Facebook’.

Të dashur qytetarë,

Pas njoftimit se sot, Drejtori i Infrastrukturës Lokale në Komunën e Drenasit, është arrestuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ju informoj si në vijim:

Që nga marrja e mandatit të Kryetarit të Komunës së Drenasit, jam zotuar se zbatimi i ligjit do të jetë prioritet imi.

Pas pranimit të shqetësimeve për shfrytëzim të pa autorizuar të pronave komunale, rrjedhimisht të banesave pronë të komunës, për të hequr dyshimet, kam iniciuar rastin pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Ky inicim i rastit që kam adresuar është në mesin e shumë rasteve të tjera, pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e kurrkujt.

Edhe për rastin e z. Idriz Hysenaj, pas pranimit të informacionit zyrtar për dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do te marr vendim konform legjislacionit në fuqi, pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e tij.

Po ashtu, ju siguroj qytetarë të nderuar se zbatimi i ligjit do të vazhdojë të jetë prioriteti im kryesor.