Screenshot nga videoja e publikuar nga kryetari i Kamenicë Kadri Rahimaj

Ramiz Lladrovci mban konferencë pas tensioneve në mbledhjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës

Një “përplasje” ka ndodhur në mbledhjen e kryetarëve të komunave të Kosovës gjatë mbledhjes së Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ndërkaq, pas kësaj, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një konferencë për media të mbajtur sot, më 10.10.2024, ka deklaruar se këto veprime të kryetarëve të komunave kanë qenë me motive të propagandës mediale. 

“Eskalimi i sotëm i katër kryetarëve të komunave që i udhëheq Vetëvendosja dhe ngat kuvendit të sotëm, është vazhdim i mjegullës që u përpoqën ta shesin në mbledhjen e kaluar të Asociacionit”- ka thënë Lladrovci. 

Për këtë Lladrovci ka përmendur publikimet të fundit të përgjimeve të deputetes së Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me Millan Radoiçiqin, duke thënë se sjelljet e sotme të kryetarëve të komunave kanë qenë me qëllim të tërheqjes së vëmendjes nga ky rast. 

“Pas përgjimit të djeshëm të Radoiçiqit ose pas publikimit të përgjimit të djeshëm të Radoiçiqit, u ka humbë rruga në oborr. Trimëritë në institucione maten me respektim të ligjit, rregulloreve dhe traditës institucionale. Tollovoi të tilla të krijuara nga metoda të Vetëvendosjes me tendenca të heqjes së vëmendjes nga rënia e tyre në Drenas dhe në krejt Kosovën është e pritshme”- ka thënë tutje Lladrovci gjatë konferencës. 

Në një video që e ka publikuar kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, shihen disa nga kryetarët në ngjarje.

Rahimaj ka thënë se Asociacioni i Komunave të Kosovës “është nën degradim total.”“Kur mungojnë argumentet, fillojnë të vënë në shprehje dhe forcën. Prandaj, nuk thërrasin as një media për të përcjellur Kuvendin e AKK”- ka shkruar ai.

Rahimaj tha se në kuvendin vjetor të këtij organi “u tentua të kontrabandohen procese të rëndësishme si: mungesa e transparencës, mos anëtarësimi i Komunave të Veriut të Kosovës në AKK dhe mohimi i të drejtës për anëtar të bordit nga radhët e LVV.”

KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimin, kryetarin e Ferizajt Agim Aliun e atë të Lipjanit, Imri Ahmeti, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.