Komuna e Drenasit - Foto: Facebook/ Komuna e Drenasit

Ramiz Lladrovci liron nga detyra dy drejtorë

Drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, Tafil Halilaj ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë ndërsa Drejtoreshës së Inspekcionit, Aurora Berisha, nuk iu vazhdua akt-emërimi nga kryetari Ramiz Lladrovci.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com kryetari Lladrovci, i cili tha se Halilaj i ka kërkuar lirimin nga detyra dhe që me këtë rast i është organizuar një koktej përshendetës.

“Po, z. Tafilaj më 31 tetor, ka kërkuar lirim nga detyra dhe unë e kam aprovuar. Shkak i kërkesës për lirim nga detyra është i natyrës objektive. Në këtë detyrë, Drejtor i Drejtorisë së Arsimit ishte nga maji i vitit 2017, kam vlerësuar shumë punën e tij dhe përkushtimin për arsim cilësor. Me rastin e largimit të tij, është organizuar edhe një koktej simbolik, ku mora pjesë me zyrtarët tjerë të komunës, duke i shprehur mirënjohje për bashkëpunim dhe punën e tij”, tha ai.

Të njëjtën e ka pohuar edhe Halilaj për KALLXO.com i cili tha se ka dhënë “doreheqje pa presion dhe që është percjellur për në pension në mënyrë madhështore”.

Kujtojmë se shkarkimi i tij ishte kërkuar vazhdimisht nga opozita komunale pas vendimit për mbylljen e tri shkollave.

Në anën tjetër, sa i përket lirimit nga detyra drejtoreshës së Inspekcionit, Aurora Berisha, Lladrovci deklaroi se nuk i është vazhduar akt-emërimi pasi që nuk i ka përmbushur pritshmëritë e tij.

“Kjo drejtoreshë e kishte aktemërimin deri më 31 tetor 2019, këtë aktemërim, nuk ia kam vazhduar. Konsideroj se kjo drejtori nuk i ka përmbushë pritjet e mia, prandaj mora këtë vendim”, tha ai.

KALLXO.com ka provuar të marr edhe një përgjigjje nga Berisha por e njëjta ka thënë se “ndodhet jashtë vendit e që do të prononcohet kur të kthehet”.

Komuna e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci ka mbetur edhe pa një drejtor të Infrastrukturës në muajin tetor pasi që Idriz Hysenaj që mbante këtë pozite u arrestua për “keqpërdorim të pozitës apo autoriterit zyrtar”.

PDK qeveris që 12 vjet, Veseli thotë se korrupsioni ‘ka rritur nivel’ në Kosovë (VIDEO)