Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ramiz Lladrovci liron nga detyra dy drejtorë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka liruar nga detyra sot dy drejtorë të drejtorive komunale.

Sipas njoftimit të Komunës, bëhet fjalë për Ruzhdi Lestrani, drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë dhe Egzona Jetullahu-Gjoshi, drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik.

Në njoftimin për lirimin e tyre nga detyra, kryetari Lladrovci është thirrur “në ngritjen e performancës dhe efikasitetit” të kabinetit të tij.

“Më qëllim të ngritjes se performancës dhe efikasitetit të Kabinetit tim, kam marrë vendim për lirim nga detyra e dy drejtorëve të drejtorive, z. Ruzhdi Lestrani dhe znj. Egzona Jetullahu-Gjoshi. I falënderova për bashkëpunimin dhe urova suksese në punën e tyre të mëtejme. Ky vendim nuk ishte i lehtë, sepse, me vite kemi punuar e bashkëpunuar për të qenë komuna më e mirë në performancësn komunale”- thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Paralajmërimi është se së shpejti do të marrë vendim për plotësimin e vendeve të lira.KALLXO.com ka provuar që të marrë një koment nga Egzona Jetullahu – Gjoshi por e njëjta nuk ka pranuar që të deklarohet.

Ndërkaq, Ruzhdi Lestrani ka deklaruar se ka kërkuar lirim nga detyra për arsye profesionale.

“Kam kërku vetë me u liru, për shkak të ngritjes profesionale, nuk kam qenë i emërum politik edhe ashtu, po trupë profesionale” – tha Lestrani për KALLXO.com.